7 zjarre aktive në RMV! Vatra të reja zjarri në rajonin e Velesit dhe Shkupit

Qendra për Menaxhim me Kriza bën me dije se janë 7 zjarre aktive në mbarë vendin. Situata mbetet kritike tek fshati Budinarcë, edhe pse është ulur intensiteti i zjarrit. Duke pasur parasysh se flakët janë thellë në pyll, procesi i shuarjes kryhet vetëm përmes ajrit, kurse këtu në funksion është edhe avioni Spartan, të cilin e dërgoi Rumania, e i cili ka kapacitet të hedhë 6 tonë ujë. Edhe në fshatin Xhidi-Mirci i cili gjendet në relacion Petrovec-Veles është regjistruar zjarr i ri.

Marketing

“Zjarri në rajonin e Pehçevës dhe Berovës ende është aktiv, edhe pse është me intensitet të reduktuar, por megjithatë është aktiv. Për momentin derisa e mbajmë konferencën për shtyp atje operon avioni “Spartan” i Aviacionit të Rumanisë. Janë tërhequr forcat të cilat vepronin nga toka, duke pasur parasysh se avioni mund të mbulojë sipërfaqe të mëdha, veprohet vetëm nga ajri. Zjarri në rajonin e Dellçevës, te fshati Nov Istevnik, është rrethuar nga të gjitha anët dhe kujdeset që të mos përhapet, por edhe ai ende është aktiv. Zjarr aktiv kemi edhe në fshatin Xhidimirci në Veles, ku është duke u djegur bar i thatë dhe pyll lisi”, tha Marija Millkova, Qendra për Menaxhim me Kriza.

“Avioni ka fluturuar tashmë dy herë. Mbetet të realizohet edhe një fluturim, kurse pastaj do të vazhdojnë helikopterët e Armatës. Për ta racionalizuar kohën, për ta reduktuar kohën e nevojshme për shuarje nga ana e helikopterëve, në vendngjarje, gjegjësisht në vetëm disa kilometra nga zjarri, dërguam një cisternë me vajgur, ku helikopterët do të mbushin karburant dhe nuk do të ketë nevojë të shkojnë në Shkup, me çka dukshëm e reduktuam kohën. Njëkohësisht nga i njëjti vend do të mbushin edhe ujë. Pra, këtu do të mbushin ujë nga pishina për të mos humbur kohë që të shkojnë deri te rezervuarët artificialë që gjenden pak më larg”, deklaroi Stojançe Angellov, drejtor i QMK-së.