Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova me raportin më të lartë të vdekjeve të shtuara gjatë pandemisë

Maqedonia, Shqipëria dhe Kosovajanë ndër shtetet me raportin më të lartë të vdekjeve të shtuara në Evropë gjatë periudhës së pandemisë. Kështu thotë një studim i publikuar së fundmi në gazetën “eLife”, që analizon të dhënat e përvitshme për sa i përket vdekshmërisë në raport me periudhën nën pandemi.

Marketing

Prej nisjes së pandemisë në dhjetor 2019, Universiteti amerikan Johns Hopkins thotë se afërsisht 4.3 milionë njerëz kanë humbur jetën në botë.

Por të dhënat e universitetit amerikan mbeten paraprake pasi një numër i lartë shtetesh nuk i kanë raportuar shifrat saktë. Shkak janë bërë faktorë si kapaciteti i ulët testues dhe qasja jo e njëjtë se çfarë quhet vdekje nga COVID-19.

The Economist raportoi në muajin maj se numri i vdekjeve nga pandemia mund të  përllogaritet të jetë 7-13 milionë njerëz – dy deri katër herë më i lartë nga çfarë raportohet zyrtarisht nga shtetet.

Por Studiuesit Ariel Karlinsky dhe Dimitri Kobak nga Universiteti Hebre i Izraelit dhe Universiteti Tubingen në Gjermani kanë përllogaritur një shifër më të saktë se kaq për të paktën 103 shtete të botës.

Në studimin e publikuar në “eLife” bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Pse shifrat e Karlinskit dhe Kobakut konsiderohen më të sakta?

Studiuesit mblodhën të dhënat e popullsisë dhe vdekjet e raportuara nga autoritetet e 103 shteteve për një periudhë nga viti 2015 deri në vitin 2019.

Me këto të statistika periodike ata përllogaritën shifrat e mundshme të vdekjeve të çdo shteti për vitin 2020 në rrethana të zakonshme – pra pa pandemi.

Këto shifra më pas i vunë në krahasim me numrin e deklaruar të vdekjeve prej COVID-19 ku nxorën në pah vdekjet e tepërta – vdekjet pa rastet e arsyetuara me shkaqe si mosha, sëmundjet, aksidentet apo vrasjet.

Në këtë mënyrë faktori më i lartë i vdekjes për këto raste mund të konsiderohet pandemia.

“Matja e vdekjeve na lejon të monitorojmë dhe parashikojmë një pandemi si COVID-19 për pjesën që prej kapaciteteve kalon pa u testuar dhe raportuar,” – thotë Karlinsky në një deklaratë.

Kjo metodë është përdorur në të shkuarën për të përllogaritur numrin e vdekjeve nga pandemia e gripit spanjoll në vitin 1918.

Studimi nuk përfshin shtete të mëdha si Kina, apo India, megjithatë përmbledh shumicën e vendeve të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Jugut.

Por çfarë thonë shifrat e studimit të Karlinsky dhe Kobakut?

Pesë shtetet me raportin më të lartë të vdekjeve shtesë në Evropë

4 – Kosova pa një rritje me 30% të numrit të vdekjeve shtesë gjatë periudhës së pandemisë. Studimi thotë se kishte një raport prej 150 vdekje të tilla për çdo 100 mijë banorë.

3 – Sllovakia dhe Çekia kishin një rritje me 30% të vdekjeve shtesë. Sllovakia shënoi një raport 310 vdekje të tilla për çdo 100 mijë banorë. Ndërsa Çekia 320.

2 – San Marino me një popullsi prej rreth 33 mijë banorësh raportoi zyrtarisht 90 viktima nga COVID-19. Sidoqoftë sipas studimit pati 110 vdekje shtesë me një rritje prej 42% nga mesatarja dhe një raport 320 vdekje për çdo 100 mijë banorë.

1 – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut patën një rritje me 43% të numrit të vdekjeve shtesë krahasuar me mesataren vjetore. Zyrtarisht deri në mars 2021 në Shqipëri pati rreth 2,200 viktima nga COVID-19, por pati rreth 9,300 viktima që u raportuan nga INSTAT mbi mesataren vjetore.

Më keq u paraqit Maqedonia e Veriut, që radhitet mes 10 vendeve me më shumë vdekje të shtuara në studim, me një raport 420 vdekjesh shtesë për çdo 100 mijë banorë.