Irzniq është fshati i cili ka më shumë se treqind shtëpi dhe afër tremijë banorë, pra është ndër fshatrat e mëdha të Komunë së Deçanit. Para Luftës ky fshat kishte edhe zyrën e vendit, që e bënte qendrën e dytë pas Deçanit, me statusin e Komunës, ku pothuaj gjysma e fshatrave përreth kryenin shërbimet aty. Po ashtu kishte edhe postën, ambulancën, stacionin policor, kooperativën bujqësore “Përparimi”, (që nën drejtimi e Tahir Dacaj (martir), për më së tridhjetë vjet, ishte ndër kooperativat më të suksesshme, jo vetëm në Komunën e Deçani, por edhe në ato përrreth), Shkollën Fillore “Avni Rrustemi”, Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe objektin e kultit fetarë, Xhaminë.
Irzniqi kishte një traditë të lëvizjeve në përpjekje për Liri e Pavarësi të vendit, por që nga fillimi i viteve ’90-ta kishte filluar me lëvizjet nën organizimin e banorëve të atyshëm, duke e trasuar rrugën e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që në fillim të 1998, ishte formuar Shtabi lokal, bashkëformues i këtij Shtabit, njëherit i zgjedhur edhe komandant, ishte edhe porofesor Maxhun Çekaj, si njeri që e ka njohur mirë strategjinë e luftës, dhe mentalitetin agresiv të pushtuesit. Menjëherë pas themelimit të Shtabit, një pjesë e madhe e banorëve të fshatit, të cilët ishin të aftë për luftë, madje kish edhe prej atyre të cilët ende nuk kishin hyrë në moshën e pjekurisë, ishin paraqitur për të marrë armët në dorë për Liri dhe Pavarësi të Kosovës. Por udhëheqësia e Shtabit, e kishte bërë selektimin e duhur të atyre që ishin paraqitur, duke mos ua thyer idealin edhe atyre që ishin shumë të ri për të qenë pjesë e kësaj luftë të padrejtë që bëhej kundër popullit shqiptarë të Kosovës, për të qenë të denjë dhe të aftë për të hyrë në radhët e UÇK-së.
Pas gjithë organizimeve të duhura të bëra nga Shtabi lokal i fshatit, e kishin informuar Shtabin qendrorë, i cili ishte në Gllogjan, më në krye Ramush Haradinaj, se Irzniqi ishte i gatshëm për ta bërë kauzën për lirinë e vendit. Pas këtij takimi, një numër i madh ushtarësh nga fshati Irzniq, ndër ta edhe përshkruesi i këtyre radhëve, nga data e nëntë prill e vitit 1998, duke e parë nevojën se populli duhet të mbrohet me diç, në mënyrë sistematike deri në përfundimin e luftës, kishin shkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria.
Gjatë Luftës së viteve 1998-1999, fshati Irzniq ishte bërë njëri nga qendrat rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetën në rrethinën e Deçanit, por pothuaj në gjithë Zonën e Dukagjin. Shtabi i Irzniqit, kishte ndërtuar poligonin ushtarak, ku bëheshin stërvitjet e ushtarëve, kishte të formuara strukturat e saj ushtarake, po ashtu kishte edhe spitalin ushtarak, i cili shërbënte për tërë Zonën Operative të Dukagjinit, ku operonte pandërprerë ushtarët e plagosur, por edhe civilët. Fshati Irzniq kishte të mobilizuar përmbi dyqind ushtarë, të cilët kanë operuar në pikat të ndryshmë të rajonit të Deçanit, si: Carrabreg, Prejlep, Baballoq, Rastavicë, Strellc etj., kudo që kërkohej.
Pak kohë pas formimit të njësive ushtarake, pra në qershorit ’98-tës, në fshatin Irzniq formohet edhe njësia speciale: “Shqiponjat e Zeza”, komandant i së cilës ishte Idriz Balaj (togeri), ku pjesë e kësaj njësie ishin tetë djem të këtij fshati, njëri nga ta: Altin Haskaj, sot Dëshmorë i Kosovës, kurse tre nga këta ushtarë kanë qenë të plagosur rëndë. Më pas ishte formuar edhe Policia Ushtarake në korrik ’98-tës, e cila ishte nën komandën e Shefqet Zejnaj.
Fshati Irzniq ka 12 Dëshmorë e 8 të rënë, gjithsej 20 të vrarë, që e bën të jetë ndër fshatrat me më së shumti të rënë në altarin e lirisë në Komunën e Deçanit
Dëshmorët e fshatit Irzniq janë: Maxhun Çekaj, Blerim Dervishaj, Gëzim Dervishaj, Altin Haskaj, Malë Zejnaj, Mustafë Çekaj, Dinë Çekaj, Tahir Dervishaj, Daut Aliçkaj, Halil Berisha, Berhon Dervishaj dhe Armend Daci.
Të rënët e fshatit Irzniq janë:Zeqë Dervishaj, Hajdin Dervishaj, Himë Dervishaj, Tahir Dacaj, Hajdar Dacaj, Selim Aliçkaj, Shkurte Dervishaj dhe Emine Dervishaj.
Pos vrasjeve të shumta, fshati Irzniq kishte pësuar disa herë shkatërrimin e tij nga paramilitarët serb, pothuaj 90 për qind e tij ishte i shkatërruar, me shtëpi të djegura e të rrënuara nga granatimet. Por pas çlirimit, edhe pse me mundime të mëdha, fshati sot është rimëkëmbur si më parë, i cili ka një mirëqenie dhe një infrastrukturë të konsiderueshme.
Nga libri “Antologjia e lirisë”!