Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se dënimi me 11 vjet burg, i dhënë nga një gjykatë kineze për biznesmenin Michael Spavor, është absolutisht i papranueshëm dhe i padrejtë. Një gjykatë në qytetin Dandong të Kinës dënoi të mërkurën kanadezin Michael Spavor nën akuza për spiunazh.
Një gjykatë kineze dënoi biznesmenin kanadez Michael Spavor me 11 vjet burg nën akuza për spiunazh. Vendimi i së mërkurës, nga një gjykatë në qytetin verilindor Dandong, u mor pas gjyqit një ditor me dyer të mbyllura ndaj kanadezit Spavor të zhvilluar gjashtë muaj më parë.
Ambasadori kanadez, Dominic Barton, i cili mori pjesë në seancën e shpalljes së vendimit, tha se biznesmeni Spavor ndjehej mirë por dëshironte të kthehej në shtëpinë e tij.
“E dënojmë, në termat më të forta të mundshme, këtë vendim të marrë pas një procesi ligjor ku mungonte si drejtësia ashtu edhe transparenca. Në këtë kohë të vështirë jemi pranë Michael Sparov-it dhe familjes së tij. Që nga fillimi kemi pohuar se Michael Spavor dhe Michael Kovring janë ndaluar në mënyrë arbitrare. Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të siguruar lirinë e tyre”.
Kanadezi Spavor u arrestua në dhjetor 2018, vetëm disa ditë pasi autoritetet kanadeze arrestuan Meng Wanzhou, zyrtaren e lartë të firmës kineze “Huawei Technologies” në Vancouver të Kanadasë në bazë të një urdhër-arresti amerikan.
Zyrtarja kineze, Meng, vazhdon të jetë nën arrest shtëpiak në Vancouver ndërsa vazhdon përpjekjet për të shmangur ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara.
Si drejtuese e lartë e kompanisë Huawei, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të telefonave inteligjentë, Meng akuzohet se ka gënjyer zyrtarët amerikanë rreth bizneseve të kompanisë Huawei në Iran, vend ndaj të cilit janë vendosur sanksione amerikane.
Një gjykatë kanadeze do të dëgjojë argumentet përfundimtare gjatë javëve të ardhshme nëse do të ekstradojë zonjën Meng Wanzhou në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza penale në lidhje me shkeljet e mundshme të sanksioneve tregtare ndaj Iranit./VOA