Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që i bashkohen Republikës së Maqedonisë së Veriut në përvjetorin e njëzet viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit – dhe ka shumë për të festuar. Marrëveshja Kornizë e Ohrit luajti rol jetësor në ndihmën për krijimin e Maqedonisë së Veriut si një demokraci multietnike dhe parandalimin e konfliktit më të madh. Kështu është shprehur zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price gjatë një video lidhjeje gjatë konferencës organizuar me rastin e shënimit të 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit nga ana ministria për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne përgëzojmë arritjet dhe përparimin e vendit tuaj gjatë dy dekadave të fundit, të cilat e kanë pozicionuar Maqedoninë e Veriut si lider në rritje në rajon. Përparimi juaj, siç u demonstrua përmes Marrëveshjes së Prespës, tregon se diplomacia e guximshme është e mundur dhe frytdhënëse. Para pak kohe, në Forumin e Dialogut të Prespës, Ministrja e Mbrojtjes Shekerinska reflektoi se, njëzet vite më parë, Maqedonia e Veriut kërkoi ndihmë nga NATO në përgjigje të konfliktit të armatosur, dhe vetëm vitin e kaluar, NATO ju mirëpriti në familjen e saj si Aleati i 30-të, një demonstrim i guximshëm i punës tuaj të madhe dhe përparimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu presin të festojnë hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE, edhe atë shumë shpejt. Mbetet të punojmë sipas parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për të një shoqëri më të mirë me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Kjo është vepra e çdo demokracie të suksesshme multietnike, duke përfshirë edhe tonën këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH, Ned Price.
Price gjithashtu ka thënë se demokracia përforcohet kur i respektojmë dhe vlerësojmë mendimet dhe përvojat e ndryshme. Për këto ideale ia vlen të përpiqemi dhe ne e duartrokasim Maqedoninë e Veriut që punon në dobi të të gjithë qytetarëve. Mbetemi aleati juaj, por më e rëndësishmja, vendi mik i juaji, ky është vetëm fillimi i një marrëdhënie që do t’i mbajë vendet tona të lidhura fort së bashku për vitet në vazhdim.