71 Milion euro mbështetje për strategjinë “Inovacion dhe ekselencë në IT”

Mbi 71 milionë euro janë parashikuar të shpenzohen nga Qeveria shqiptare në Planin e Veprimit të Strategjisë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve 2021 – 2027, ndërkohë që rreth 80 milionë euro të tjera sigurohen përmes garancive sovrane. Dokumenti Strategjik është publikuar tashmë në fletoren zyrtare dhe parashikon mbështetjen dhe angazhimin e një tërësi institucionesh, duke filluar nga ministritë e linjës, institucionet e varësisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, akademia, organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Synimi i strategjisë është zhvillimi plotësisht i potencialeve të investimeve për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e integrimit në tregjet ndërkombëtare dhe zinxhirët e vlerës.

Synim që, sipas Ministrisë së Financave, kërkon përpjekje të gjithanshme nga të gjitha ministritë dhe institucionet që zbatojnë politika të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve. Një nevojë e domosdoshme dhe e vazhdueshme është gjetja e mekanizmave të duhur dhe të përshtatshëm që sigurojnë një bashkëpunim të fortë dhe efektiv ndërinstitucional si në drejtimin horizontal ashtu dhe atë vertikal.

Marketing

Bashkëpunimi me akademinë, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, kanë gjithashtu rëndësi themelore, pasi ato mund të ndikojnë ndjeshëm në ndërgjegjësimin rreth zhvillimit të biznesit dhe investimeve, si dhe ofrimin e ekspertizës për zhvillimin e shërbimeve mbështetëse të specializuara për biznesin.

Strategjia parashikon projektimin dhe zbatimin e një skeme mbështetëse që përfshin:

  • Asistencë për NVM-të që punësojnë të sapodiplomuarit për projekte inovacioni
  • Asistencë për studentët doktorantë që janë punësuar në NVM dhe në të njëjtën kohë janë regjistruar në universitet, të cilët punojnë për një projekt të përbashkët kërkimi
  • Do të krijohen programet “Inovacion dhe ekselencë në manifakturë” dhe “Inovacion dhe ekselencë në IT” për trajnime në inovacion, dizajn, marketing, kërkim dhe zhvillim nëpërmjet mbulimit të kostove të trajnimit 100%. Kostot do të rimbursohen 50% direkt dhe 50% si 2-fish i tatimit të zbritshëm ndaj shoqërive ku është i punësuar përfituesi. Kostot e këtyre programeve do të përcaktohen gjatë përgatitjes së politikave fiskale në vijim.

/Scan

WWW.AKTUALE.MK