“-Mirëdita, a keni teste të shpejta Kovid?
-Po.
-Sa kushtojnë?
-395 denarë.
-Më jepni një.”, gjatë blerjes së testit të shpejtë në barnatore.
Gjithnjë e më shumë qytetarë e shfrytëzojnë mundësinë të bëjnë teste të shpejta, sidomos gjatë verës, periudhë kur bëjnë më shumë udhëtime dhe organizohen festa të ndryshme. Pasi ta bëjnë testin vetë, pasi të marrin tampon nga hunda, rezultatin e marrin pas 20 minutave.
“Këtë test që e bëra tani doli negativ. Por, parashtrohet pyetja – sa mund t’u besohen këtyre testeve të shpejta? Çka ndodh me personat që bëjnë teste të shpejta dhe dalin pozitivë? Ata nuk figurojnë në sistem. Lihen në ndërgjegjen e tyre nëse do të shkojnë te mjeku amë për të konfirmuar nëse me të vërtetë janë pozitivë apo do të vizitojnë ndonjë laborator i cili posedon leje ku sërish do të bëjnë test i cili do të tregojë rezultat real”, raporton Aleksandra Velinova, gazetare e TV21.
Së fundmi, edhe mjeku Ilço Efkoski reagoi në rrjetet sociale për shkak të sjelljes të pandërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët edhe pse në testin e shpejtë kanë rezultuar pozitivë, sërish kanë organizuar dasmë, bile kanë udhëtuar edhe jashtë vendit.
“Nuk mund të besoj, IMAGJINONI, dhëndri dhe nusja kanë ardhur të marrin infuzion për t’u freskuar para dasmës, kanë pirë paracetamol në shtëpi dhe nuk e kanë lajmëruar doktorin se kanë temperaturë. E kanë organizuar dasmën me të gjitha zakonet. Në shtëpi kanë bërë teste të shpejta, kurse e gjithë familja ka dalë pozitive, por testet e blera në barnatore “nuk ishin të sakta” dhe askush nuk ka bërë PCR test. Nuk do të mësonim asgjë nëse dhëndri nuk përfundoi në Repartin Infektiv me pneumoni. Tani pritet të hospitalizohen edhe të tjerët, sepse shumë mysafirë nga kjo dasmë janë pozitivë”, vlerëson mjeku Ilço Efkoski.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se këtyre testeve të shpejta nuk mund t’u besohet!
“Në sistemin shtetëror për evidencë, që e përpilon Instituti për Shëndet Publik, regjistrohen personat që kanë bërë test PCR apo teste të shpejta antigjeni në laboratorët e certifikuar në vend”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Duke pasur parasysh se këto teste nuk janë të njohura, nuk mund të jepet vendim izolimi për personat pozitivë dhe t’i përgjigjen pyetësorit epidemiologjik. Nuk është i vogël as numri i qytetarëve që dalin pozitivë, por sërish udhëtojnë jashtë vendit. Sipas të dhënave të MPB-së, prej 8 deri më 11 gusht, 9 persona pozitivë me vendim për izolim e kanë braktisur vendin. Paraprakisht, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe dy persona nga Gostivari.