Është pikërisht nata e 23 prillit 2021, dy ditë para zgjedhjeve parlamentare. Për 30 vite më radhë, Perëndimi kishte ‘mbyllur njërin sy’ për sagën e vjedhjeve, krimeve, trafiqeve dhe poshtërsive të Ilir Metës, për arsye dhe shkaqe të dukshme e të padukshme, strategjike dhe gjeostrategjike, që kanë të bëjnë me objektiva që shkojnë përtej politikanëve lokalë, edhe pse simbole korrupsioni të Ballkanit.
Në 23 prill 2021, Ilir Meta tejkaloi vijën e kuqe dhe bashkë me Monikën dhe bandën e tij, hynë në radarin amerikan si një faktor që duhej zhbërë. Nga një studio televizive, i frymëzuar edhe nga Sali Berisha, Ilir Meta shpërtheu kundër amerikanëve, duke i quajtur vrasës dhe duke i portretizuar si dëmtues të Shqipërisë, ndonëse ekzistenca e dy shteteve shqiptare sot në Ballkan mban vulën e SHBA.
Ilir Meta njësoi amerikanët me pushtetin e Edi Ramës, i akuzoi si autorë të reformës komplotiste në Drejtësi, ndërsa shpërtheu me një gjuhë ordinere kundër ambasadores amerikane Yuri Kim.
Deklarata e tij e çmendur se do të dilte tek Mali me Gropa që ta vrisnin amerikanët me raketë bëri jehonë në media ndërkombëtare nga Brukseli deri në Uashington. Deklarata e Metës u pasqyrua me entuziazëm në Beograd dhe Moskë.
Retorika e Ilir Metës ishte e ngjashme me atë të Sadam Hyseinit, Muamar Gadafit, Bashar al Asadit dhe Kim Jong Un. Ndër të tjera, Meta u shpreh: “E duan amerikanët Edi Ramën? Ta marrin në Amerikë, ta bëjnë çfarë të duan, ama këtu në Shqipëri, këtu do të vendosë populli i Shqipërisë. Pikë! Mbaroi historia. Se ne për këtë gjë e duam Amerikën, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për asgjë tjetër nuk e duam. Po të jetë se kemi frikë nga Amerika se ka aeroplanmbajtëse dhe raketa, duhet të kemi frikë edhe nga Rusia, se ka edhe Rusia. Ka dhe koreano-jugori, por ne nuk e kemi frikë… Kam Shqipërinë të parën, kam ca vende bosh, pastaj kam Amerikën. Dhe Amerikën e dua, për aq kohë sa nuk dëmton Shqipërinë”. Pikë! Tjetër i kam thënë Amerikës: U kam thënë: Në qoftë se keni ndonjë gjë me mua ju më lajmëroni kur e keni, se unë e di që ju edhe më vrisni, i kam thënë. Po të vete te Mali me Gropa dhe më çoni ndonjë raketë që të paktën të mos dëmtoj njerëz të tjerë, se nuk e kam problem… Kjo më mori mua në telefon dhe më tha: “Ti ke bërë një letër kështu, ndaj, ti”, më thotë mua: “Zotëri, nesër mos bëj zhurmë nëse këta bëjnë kështu, sepse…” “Moj, zonjë”, i them unë po ne kemi bërë një marrëveshje që do të respektojmë Venecien. Ky nuk është as anëtar; nuk është më anëtar i Gjykatës së Lartë, nuk i takon dhe nuk ka se si të jetë këtu. Jo andej po këtej, më thotë mua: “Ne dimë disa gjëra për ty”. Ambasadorja i thotë Presidentit të Republikës: “Ne dimë disa gjëra për ty?!””.
Vetëm disa minuta pas kësaj deklarate është marrë vendimi për fundin politik të Ilir Metës, i cili u zyrtarizua si udhëheqësi i linjës anti-amerikane në Shqipëri. Ende pa dalë Ilir Meta nga studioja televizive, Edi Rama ka urdhëruar me urgjencë anëtarët e Komisionit të Ligjeve për të nisur procedurat për shkarkimin e tij. Shkarkimi nuk ishte më një lojë si në rastin e anulimit me dekret qesharak të zgjedhjeve lokale të 2019. Ishte një urdhër për fundin e pakthyeshëm politik të Ilir Metës dhe bandës së tij politike. Me një procedurë urgjente, Kuvendi shkarkoi Ilir Metën nga detyra për cenim të marrëdhënieve me SHBA.
Megjithatë, goditjen më të madhe Ilir Meta do ta merrte në zgjedhjet parlamentare të 21 Prillit 2021, zgjedhje të cilat Meta i shpalli një referendum kundër SHBA. Banda e tij, LSI, u asgjësua politikisht. LSI-ja u shkri si forcë politike në 8 qarqe të Shqipërisë, ndërsa u zhbë si faktor politik në Kuvend. Ish deputetë, ish-ministra, drejtorë dhe qindra anëtarë braktisën në bllok partinë-ndërmarrje të Metës dhe Monikës. Kjo e fundit tashmë duket se është tërhequr nga politika. Kjo ishte edhe përgjigja e shqiptarëve për referendumin e Ilir Metës kundër SHBA.
Goditja amerikane nuk ndaloi me shkrirjen e LSI-së. Pas shkarkimit të Metës dhe asgjësimit politik të bandës së tij, Presidenti Amerikan lëshoi dy urdhra, një për t’i sekuestruar Ilir Metës çdo pasuri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera, dhe një urdhër tjetër për t’i shpallur luftë korrupsionit në Shqipëri, duke iu referuar kokave të politikës, si çatia e korrupsionit. Në 19 maj 2021, Ilir Meta mori një tjetër goditje shkallmuese, pasi amerikanët shpallën aleatin e tij, Sali Berishën, non grata dhe në listën e zezë, për korrupsion, kapje të drejtësisë dhe minim të demokracisë. Vendimi i DASH për fundosjen e Sali Berishës, ishte një mesazh për Ilir Metën, si aleati kryesor i ‘doktorit’ të politikës së Tiranës, në udhëheqjen e frontit kundër reformës në Drejtësi dhe rrjedhimisht kundër SHBA-BE. Megjithatë, goditja e fundit ende nuk ka ardhur për Ilir Metën. Vjeshta që po troket mendohet se do të shënojë fundin e betejës së Perëndimit për të hequr nga qafa e Shqipërisë Ilir Metën dhe Sali Berishën./Pamfleti