Përmbytjet në Turqi, shkon në 55 numri i viktimave

Ka shkuar në 55 numri i viktimave nga përmbytjet e rënda dhe rrëshqitjet masive të dheut në bregdetin turk të Detit të Zi, sipas agjencisë turke për menaxhimin e emergjencave. Ndërkaq autoritetet kanë hedhur poshtë zërat se qindra vetë figurojnë të zhdukur.

Marketing

Shira të rrëmbyer goditën të mërkurën provincat Bartin, Kastamonu dhe Sinop në brigjet e Detit të Zi, duke shembur shtëpi, duke dëmtuar të paktën pesë ura dhe duke marrë me vete makina e objekte të tjera.

Sipas agjencisë së emergjencave, nëntë vetë janë shtruar në spital në Sinop. Disa banorë në Kastamonu thanë në median sociale se qindra vetë figurojnë të zhdukur, gjë që është përsëritur edhe nga një ligjvënës i opozitës. Por zyra e qeverisjes lokale tha të premten në mbrëmje se nuk janë të vërteta njoftimet për 250 trupa të paidentifikuar.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të pajisur me qen, vazhdojnë punën e vështirë për të gjetur të zhdukurit.

Në mbarë zonën janë evakuuar të paktën 2,250 vetë para dhe gjatë përmbytjeve, disa janë marrë me helikopterë nga çatitë e banesave. Shumë të tjerë kanë gjetur strehim të përkohëshëm në konvikte shkollash.

Shkencëtarët thonë se nuk ka diskutim që këto katastrofa ekstreme natyrore janë pasojë e ngrohjes së planetit, si rezultat i aktivitetit të njeriut.

Por ekspertët në Turqi thonë se një rol të madh kanë luajtur edhe ndërhyrjet në shtretërit e lumenje dhe shfrytëzimi i parregullt për material ndërtimi, gjë që i bën përmbytjet edhe më të rrezikshme.

Gjeologët thonë se aty ku dëmet kanë qenë më të rënda, ndërtimet kanë sjellë ngushimin e shtratit të lumit dhe të luginës ku përhapen ujërat gjatë përmbytjeve të lumit Ezine, duke e çuar nga 400 metra në afro 15 metra gjerësi. Edhe në brigjet e detit ka pasur ndërtime të shumta gjatë viteve të fundit.

Gjatë shirave të rrëmbyer, lumi del nga shtrati. Videot e marra nga banorët tregojnë ujin e vrullshëm që përmbyt rrugë e ndërtesa. Një gjeolog, duke shpjeguar ndikimin që ka ngushtimi i shtratit të lumit, fajësoi dorën e njeriut për këtë katastrofë.

Përveç Turqisë, edhe vende të tjera në brigjet e Detit të Zi janë përballur me probleme përmbytjesh. Në jug të Rusisë autoritetet e rajonit Krasnodar thanë të shtunën se më shumë se 1400 shtëpi ishin goditur nga përmbytjet. Rreth 108,000 banorë në 11 qendra banimi ishin pa energji elektrike.

Autoritetet e emergjencave në këtë zonë thanë se mbi 1530 vetë ishin evakuuar. Qyteti rus i Anapas, një pikë pushimesh në brigjet e Detit të Zi, ishte një ndër qendrat e banimit të goditura më rëndë. Zyrtarët kanë paralajmëruar se mund të ketë përsëri rjeshje në dy ditët e ardhshme.