Rama për strehimin e afganëve: Është nder dhe detyrë ta bëjmë këtë

Rënia e Kabulit në duart e talebanëve ka rihapur debatet për emigracionin mes vendeve evropiane, ndërsa krerët e qeverive janë në pritje për një fluks të paevitueshëm emigrantësh, shkruan “The Gardian”, që ka marrë një prononcim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me këtë çështje.

Marketing

Rama ka vlerësuar se shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe si është të jesh një i huaj që kërkon strehë. “Jam i shokuar të shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën një mundësi për të marrë frymë sërish. Ne e dimë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe si është të jesh një i huaj që kërkon strehë diku. Ka të bëjë me atë që jemi ne: Është nder dhe detyrë ta bëjmë këtë!”, ka deklaruar Rama, duke kritikuar shtetet më të pasura që po kthejnë shpinën ndaj afganëve që kërkojnë ndihmë në këtë moment.

“Kjo bie në kundërshtim me ato vlera që ne i predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por njëkohësisht nuk do të jetë pjesë e tij”, është shprehur ai.

Rreth 30 000 qytetarë afganë kanë braktisur vendin në 10 ditët e fundit. Shumica prej tyre kanë udhëtuar për në Iran apo në Pakistan, shkruan “The Gardian”, që citon një profesor të Universitetit të Romës, cili kërkon nga vendet perëndimore të përgatiten për një eksod nga Afganistani.