Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka falënderuar Turqinë për sigurimin e aeroportit të Kabulit dhe që bëri të mundur largimin e sigurt për ata që dëshirojnë të lëshojnë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Fokusi i NATO-s tani është të sigurojë largimin e sigurt të personelit të vendeve aleate dhe partnere, si dhe të afganëve që na kanë ndihmuar”, tha Stoltenberg në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Ambasadorët e NATO-s diskutuan situatën e sigurisë në Afganistan pasi talebanët të dielën morën kontrollin e kryeqytetit Kabul.
“NATO ka punuar ditë e natë për të vazhduar operacionet në aeroportin e Kabulit”, tha Stoltenberg, duke shprehur mirënjohje për një personel civil të NATO-s, të përbërë prej rreth 800 personash që mbetën në Kabul për të drejtuar aeroportin.
“Më lejoni po ashtu të falënderoj forcat ushtarake të aleatëve të NATO-s, veçanërisht Turqinë, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar për rolin jetësor në sigurimin e operacioneve të aeroportit në aeroportin e Kabulit”, theksoi shefi i NATO-s.
Sipas tij, aleatët në takimin e sotëm njoftuan se do të dërgojnë “barrikada shtesë” për aeroportin.
Lufta midis talebanëve dhe forcave afgane u intensifikua pasi trupat e huaja njoftuan se do të tërhiqen nga vendi deri më 11 shtator.
Talebanët arritën përparime të shpejta dhe të dielën morën kontrollin mbi kryeqytetin Kabul, ndërsa forcat e qeverisë afgane ikën ose u dorëzuan. Presidenti Ashraf Ghani po ashtu u largua nga vendi.
Stoltenberg fajëson udhëheqjen afgane për tragjedinë
Më tej, Stoltenberg fajësoi udhëheqjen afgane për dështimin për t’u ngritur kundër talebanëve.
“Përfundimisht, udhëheqja politike afgane nuk arriti t’i rezistojë talebanëve dhe të arrijë një zgjidhje paqësore që afganët e donin dëshpërimisht”, tha Stoltenberg pas takimit të ambasadorëve të NATO-s.
“Ky dështim i udhëheqjes afgane çoi në tragjedinë që ne jemi dëshmitarë sot”, shtoi ai.
Duke pranuar se “pjesë e forcave afgane të sigurisë luftuan me guxim”, ai zhvillimet e fundit në Afganistan i quajti “një kolaps ushtarak dhe politik me shpejtësinë që nuk ishte parashikuar”.
Sipas tij, është e nevojshme që aleanca ushtarake të marrë “një vlerësim të ndershëm dhe të drejtë” mbi praninë e saj 2-dekadëshe në Afganistan.
Ai po ashtu shpjegoi se NATO është përballur me një dilemë në lidhje me përfundimin e misionit ushtarak në Afganistan, ku ata duhej të zgjidhnin midis rrezikut të marrjes nën kontroll nga ana e talebanëve ose luftimeve të hapura.
“Ne kurrë nuk kemi synuar të qëndrojmë përgjithmonë në Afganistan,” theksoi Stoltenberg, duke shtuar se qëllimi kryesor ishte të sigurohej që vendi nuk do të bëhej përsëri një strehë e sigurt për terroristët.
Ai u bëri thirrje “atyre që tani marrin pushtetin” për të marrë këtë përgjegjësi, si dhe për të ruajtur një shoqëri të qëndrueshme dhe paqësore./AA