Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini sot ishte në një vizitë në terren në deponinë jo-standarde në Rusino, ku në progres është realizimi i masave të shpejta për sanimin e deponisë.
Deri më tani, janë realizuar të gjitha punët përgatitore, është vendosur peshorja e makinave për matjen e sasisë së mbeturinave, në progres është ndërtimi i argjinaturave dhe krijimi i sistemit për menaxhimin e rrjedhave. Ka filluar edhe asfaltimi i rrugës deri në deponi dhe paralelisht po punohet në përgatitjen e dokumentacionit për një rrugë alternative deri në Rusino nga rruga Gostivar – Mavrovë.
Në përputhje me planin dinamik, masat e shprejta pritet të përfundojnë plotësisht deri në fund të gushtit të këtij viti, pas së cilës do të fillojë faza e dytë e projektit dhe menaxhimi me Rusinon do t’i dorëzohet Ndërmarrjes së Përbashkët Rajonale Publike Rusino/ Pollog, e formuar nga të gjitha komunat e Rajonit planifikues të Pollogut.