Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndër -Komunitare Artan Grubi, ministrin e financave Fatmir Besimi dhe ministrin e mjedisit Naser Nuredini sot vizituan kompaninë “Kipper Market” nga Tetova e cila është një nga 400 kompanitë që morën grant për realizimin e një investimi të ri përmes Thirrjes Publike për Rritjen e konkurrencës të realizuar nga Ministria e Ekonomisë.
Në takim, menaxhmenti i “Kipper Market” informoi për realizimin e investimit të fundit në ndërtimin e një qendre distributive, si dhe planet për rritjen dhe zhvillimin e kompanisë në periudhën e ardhshme.
Ministri Bekteshi shprehu kënaqësinë që kompania “Kipper Market”, e cila është një nga më të mëdhatë në komunën e Tetovës, investoie dhe gjatë pandemisë dhe kështu shënoi suksesin për të ardhmen.
“Kjo dëshmon edhe një herë se në Maqedoninë e Veriut po krijohet një klimë e qëndrueshme për sa i përket investimeve dhe jo vetëm në tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe në nxitjen dhe stimulimin e rritjes së investimeve vendore. Unë dua të përgëzoja publikisht menaxhmentin, udhëheqësinë, pronarët e kompanisë ” Kipper Market ” të cilët po rrisin vazhdimisht kapacitetet e tyre dhe jo vetëm në drejtim të rritjes së investimeve, por në të njëjtën kohë ndikojnë indirekt dhe direkt në rritjen e kapaciteteve të tjera ekonomike”, tha ministri Bekteshi.
Bekteshi shtoi se menaxhmenti ishte i informuar se “Kipper Market” bashkëpunon me pothuajse 50 furnizues vendorë, gjë që dëshmon se përveç krijimit të vendeve të punës drejtpërdrejt nga kompania, ata ndikojnë edhe në rritjen e vendeve të punës në kompanitë tjera prodhuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Gjatë vitit të kaluar ne si Qeveri fillluam me masat për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për të gjitha kompanitë të cilat e marrin guximin dhe investojnë edhe në kohë pandemie, rrisin numrin e të punësuarve edhe në kohë pandemie dhe më gëzon fakti që pikërisht edhe me një ndihmë sadopak qoftë ajo e vogël për një kompani siç është Kiper edhe Qeveria ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve të tyre. Unë dua që edhe publikisht të ritheksoj faktin se edhe me Ligjin për mbështetje finanaciare të investimeve edhe me masat dhe programet tjera qeveritare Qeveria, Ministria e Ekonomisë, të gjitha insitucionet qendrore dhe lokale çdoherë do të jenë përkrah investitorëve që bashkarisht të rrisim mirëqenien në vendin tonë për qytetarët“ shtoi ministri Bekteshi.
Bekteshi theksoi se ndryshimet e fundit në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi, rrisin mbështetjen e kompanive në rajone të tjera të pazhvilluara në vend, në mënyrë që të ketë një zhvillim më të madh rajonal.
Drejtori gjeneral i kompanisë “Kipper Market”, Visar Jakupi u falënderua për mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Ekonomisë për realizimin e investimit në ndërtimin e një qendre distributive në Zhelinë, dhe theksoi se ajo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin më të madh të kompanisë.