Këto zgjedhje do të karakterizohen me numrin më të madh të kandidatëve të pavarur për kryetarë komunash.
Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev nuk i sheh si problem të njëjtit, edhe pse disa prej tyre janë pjesëtarë të partisë së tij.
Është i bindur se do të fitojë LSDM-ja, pasi siç thotë, ka ofertën më të mirë.
“Lista e llojllojshmërisë së kandidatëve është vërtetim i lirisë, kurse liria sjellë demokraci më të mirë. Bëhet fjalë për zgjedhje shumë të rëndësishme, ku personalitetet janë dominuese në perceptimin e qytetarëve dhe cilëve do t’ua japin mbështetjen gjatë 4 viteve të ardhshme. Në këtë drejtim, është shumë e logjishme të paraqiten më shumë qytetarë të inkurajuar edhe për listat e këshilltarëve dhe për kryetarë komunash. Sigurisht, më të mirët do të fitojnë, kurse Lidhja Socialdemokrate e ofron më të mirën”, tha Zaev pas ngjarjes së shënimit të fillimit të ndërtimit të interkonektorit Manastir – Elbasan.