Sukseset dhe rrugëtimi i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV ska të ndalur! Pas çmimit të parë në Bullgari, sfida artistike e radhës vazhdon me maratonën e paraqitjeve në Spanjë në festivalin prestigjioz ndërkombëtar të 49- tin me radhë “JIF-Jornades Internacionals Folkloriques de Catalunya”.
Program i ngjeshur dhe i larmishëm, valle e këngë shqipe të trevave të ndryshme shqiptare do të paraqiten në skenë nga trupa e ansamblit: vallëtarët, këngëtarët e orkestra. Ky udhëtim është edhe një dëshmi shtesë e suksesit të sektorit ndërkombëtar dhe punës menaxheriale e drejtuese të suksesshme!
Nisja e sotme e artistëve në këtë udhëtim ishte e veçantë. Trupën artistike e përcolli ministri i punëve të jashtme z.Bujar Osmani i cili përgëzoi drejtorin Shkodran Tolaj për prezantimet dinjitoze të artit tonë jashtë vendit ndërkaq trupës i dëshiroi sukses në këtë festival prestigjioz dhe me renome në rrafshin e artit folklorik botëror!
Drejtori Tolaj falemnderoi përzemërsisht ministrin Osmani për përkujdesjen e veçantë institucionale dhe mbështetjen duke qenë i bindur se ansambli ynë do të jetë në nivel të lartë profesional, kurse artistët tanë do ta përfaqësojnë me dinjitet!