Lideri i ASH-së, Ziadin Sela sot ka bërë thirrje tek shqiptarët që të regjistrohen. Sela gjithashtu ju bën thirrje edhe diasporës që të shfrytëzojë këtë periudhë të mbetur për regjistrim elektronik.
“Sot fillon një proces i rëndësishëm për vendin në përgjithësi dhe për ne shqiptarët në veçanti. Duke patur parasysh se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht janë të lidhura ngushtë me shifra dhe përqindje, duhet të jemi edhe më të vëmendshëm dhe përgjegjshëm për të përmbyllur me sukses këtë operacion.
Përveç kësaj, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave do të jetë i rëndësishëm edhe për planifikimet në ekonomi dhe të gjitha sferat e tjera shoqërore dhe institucionale.
Bëni kujdes, qëndroni të gatshëm dhe regjistroni të gjithë anëtarët e familjes tuaj.
Ndërkohë i bëjmë thirrje diasporës që të shfrytëzojë këtë periudhë të mbetur për regjistrim elektronik, pasi ata gjithmonë ishin dhe janë një pjesë e rëndësishme e tërësisë sonë” ka shkruar Sela në Facebook.