Talebanët kërkojnë të flasin në Kombet e Bashkuara

Udhëheqësit talebanë të Afganistanit kërkuan që përfaqësuesit e tyre të flasin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë, ndërsa udhëheqës botërorë u bëjnë thirrje atyre që të garantojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë.

Marketing

Tani që përsëri janë në krye të Afganistanit, udhëheqësit talebanë po përpiqen të japin përshtypjen se gjithçka është kthyer në normalitet.

Së fundmi luftëtarë talebanë të armatosur rëndë dhe familjarët e tyre u shfaqënduke vizituar kopshtin zoologjik të Kabulit.

Udhëheqësit talebanë kërkuan që të flasin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë kësaj jave, dhe emëruan Suhail Shaheen si përfaqësuesin e tyre.

OKB tha se një komision do të vendosë mbi kërkesën, por kjo nuk pritet të ndodhë gjatë sesionit të sivjetëm.

Në një intervistë së fundmi për Zërin e Amerikës, Shaheen tha se talebanët dheSHBA ishin kundërshtarë gjatë luftës, gjatë siç tha ai, “pushtimit të vendit”, por tha se gjërat mund të jenë ndryshe tani.

“Tani jemi në një kapitull të ri. Duam një fillim të ri dhe varet nga ShBA nëse ata do të vijnë të ndihmojnë në ndërtimin e Afganistanit dhe çrrënjosjen e varfërisë në vend dhe të na ndihmojnë në sektorë të tjerë si arsimi dhe infrastruktura. Gjithashtu, nëse duan të vijnë dhe investojnë në vend, janë të mirëpritur”, tha ai.

Ambasadori aktual i Afganistanit në OKB, Ghulam Isaczai, i emëruar në korrik nga ish-qeveria e Presidentit Ashraf Ghani, vazhdon të flasë në rrjete sociale kundër talebanëve.

Presidenti amerikan Joe Biden foli për një kapitull të ri në Afganistan, në fjalimin e së martës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ne përfunduam konfliktin 20 vjeçar në Afganistan. Ndërsa e përmbyllim këtë periudhë të një lufte të pamëshirshme, po hapim një epokë të re të diplomacisë së pandalshme – të përdorimit të fuqisë së ndihmës sonë të zhvillimit për të investuar në mënyra të reja të përmirësimit të jetës së njerëzve në të gjithë botën, për të rivendosur dhe mbrojtur demokracitë“, tha zoti Biden.

Emiri i Katarit foli kundër izolimit të talebanëve.

“Ne theksojmë rëndësinë që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë mbështetjen për Afganistanin në këtë fazë kritike dhe të ndajë ndihmën humanitare nga dallimet politike. Ne gjithashtu theksojmë rëndësinë e vazhdimit të dialogut me talebanët, sepse bojkotimi çon vetëm në polarizim dhe reagime. Dialogu mund të sjellë rezultate pozitive”, tha Emiri i Katarit.

Në një forum të Kombeve të Bashkuar për gratë afgane, drejtorja ekzekutive e UNICEF-it kishte një mesazh për udhëheqësit talebanë.

“Është shumë e rëndësishme që vajzat dhe djemtë në Afganistan të kenë mundësi të barabarta për të mësuar dhe për t’u aftësuar për të ardhmen. Ne jemi thellësisht të shqetësuar se shumë vajza mund të mos lejohen të kthehen në shkollë“, tha Herrietta Fore, drejtore ekzekutive e UNICEF-it.

Talebanët kanë thënë se një ekspert fetar do të përcaktojë se si vajzat mund të ndjekin shkollën sipas ligjit islam – të njohur si sheriati. Talebanët urdhëruan kthimin e djemve në shkollë, por nuk përmendën lejimin e kthimit në klasë të vajzave apo grave mësuese./VOA