Banorët e lagjes Shkup Veri, Butel 1 dhe Butel 2, me gëzim kanë mirëpritur Planin e ri Detal Urbanistik (PDU) të komunës së Butelit për Bulevardin “Sllovenia”.
PDU është miratuar dje me shumicë votash në këshillin e komunës së Butelit dhe parasheh shndërrimin e kësaj pjese të komunës në një ndër lagjet më të modernizuara urbane në Shkup. Në vend se plani, me të cilin rregullohet kaosi urbanistik që mbretëron tani të përshëndetet nga të gjitha subjektet politike, sepse përfitojnë gjithë banorët e Butelit pa dallim partie e etnie, ai është kundërshtuar ashpër nga kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar komune, Darko Kostovski.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Kostovski e akuzon ashpër kryetarin aktual, Velimir Smilevski, për Planin e miratuar detal. Ai këtë plan madje e sheh si “abuzim” të hapësirave në këtë komunë dhe paralajmëron shfuqizimin e tij, nëse fiton në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Ky abuzim i komunës do të përfundojë më 17 tetor, kurse të gjitha procedurat që dëmtojnë qytetarët do të verifikohen në mënyrë të detajuar”, ka shkruar Kostovski.
Mirëpo qytetarët e anketuar nga agjencia e lajmeve Zhurnal përkrahin planin e miratuar detal në komunë.
“Pse mos të rregullohet edhe komuna jonë si komunat tjera të Shkupit. Aty ku do të ndertohet lagja e re tani është djerrinë. Kujt i nevojitet ai kaos në komunën tonë. Çfarë interesi ka Darko Kostovski nga ai kaos?”, pyet një arsimtare e anketuar në shkollën “Petar Zdravkovski Penko” në lagjen Shkup Veri.
Qytetarët tjerë kanë shprehur dyshime edhe më serioze për prapavijën e kundërshtimit që në këtë rast ben kandidati i VMRO-së.
Ata ngrejnë dyshimin se shkaku për kundërshtimin e tij mund të jetë fakti se pjesa më e nadhe e parcelave ku do të ndërtohet lagja e re janë të shqiptarëve dhe kjo ndoshta i pengon VMRO-së.
Qytetarët e komunës Butel bëjnë apel që të gjitha partitë të punojnë për të mirën e komunës dhe mos të nxitet pa nevojë urrejtje partiake ose ndëretnike.
Ndryshe Zhurnal edhe më herët ka shkruar se Darko Kostovski është kumbara i kriminelit të dënuar nga Tribunali i Hagës, Johan Tarçullovski dhe se kjo kumbari mund të jetë shkak për ngarkesën e tij eventuale nacionaliste.
Për fat të keq, shumë qytetarë të Butelit ankohen se përshtypje më të mirë nuk u kanë lënë as kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski e as kandidatja për kryetare të Shkupit, Danella Arsovska, sepse gjatë vizitës në këtë komunë thuajse tërësisht kanë injoruar votuesit shqiptarë./zhurnal.mk