“Dëgjova parafolësit dhe më vjen mirë që shpalosën programin e tyre parazgjedhor dhe në asnjë moment nuk u morën me oponentët politik, për çka dhe është thirrja ime dhe apeli im që ne të merremi me vetveten, të merremi mes nesh, me punët dhe aktivitetet që na presin në këto 20 ditë që fillojnë sot. Me oponentët do të merren qytetarët për faktin që atyre u takon e drejta e vlerësimit përfundimtar dhe në ditën e 17 tetorit të votojnë drejtë, të votojnë drejt duke votuar numrin 3 në të gjitha vendvotimet ku garojmë për zgjedhjet e ardhshme.”
Para të pranishmëve gjatë shpalosjes së konventës zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim fjalim mbajti edhe kandidatja për këshillin e komunës së Gostivarit e përzgjedhur nga iniciativa qytetare Gostivari që Duam, znj. Vjollca Zylbehari dhe kandidati për këshilltarë në komunën e Tetovës, z. Blerim Osmani. Sipas tyre këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim do të angazhohen në maksimum që administrata e komunave të jetë një nga administratat më të hapura dhe derëhapur për qytetarët.
“Pas gjithë takimeve tona për Gostivarin, ishte BDI e cila jo vetëm që përqafoi dhe mirëpriti programin tonë për Gostivarin, por ofroi madje edhe përfshirje aktive nëpërmjet një liste të përbashkët ku 50 për qind e kandidatëve për këshillin e komunës nuk janë anëtarë partiak, por qytetar pa përfshirje politike, aktivistët e iniciativës tonë. Ne jemi gati, jemi gati të veprojmë në vend të dembelizimit dhe neglizhencës, të vendosim punën e përkushtuar dhe dedikimin. Jemi gati t’i zëvendësojmë premtimet boshe me projekte reale dhe të prekshme për Gostivarin që Duam. Me 17 tetor do të nisim ndryshimin ne qytetarët e Gostivarit bashkë me BDI-në.”
“Ne kemi nevojë për këtë lidership, jo vetëm për të na drejtuar gjatë pandemisë dhe pasojave ekonomike por mbi të gjitha për të na drejtuar tek e ardhmja, për të implementuar agjendën e gjelbër për komunat tona, për jetë më të mirë për qytetarët tanë. Komunës i nevojitet lidership për të bërë të mundur realizimin e projekteve të mëdha dhe kjo është arsyeja pse qytetarët na besojnë, kjo është arsyeja pse ne si BDI padyshim se do të fitojmë jo vetëm Tetovën, por të gjitha komunat shqiptare.”
Gjatë ditëve të fushatës do të vizitohen të gjitha qytetet, komunat dhe vendbanimet për të prezantuar kandidatët për kryetar komunash dhe këshilltarë komunale. BDI fushatën nesër do ta vazhdojë në qytetin e Tetovës ku do të prezantojë Platformën për këtë komunë.