



Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkon nga kryepralamentari Xhaferi që të thërras seancë plenare urgjente për të shkarkuar ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësin e tij, Ilir Hasani. Kërkesa e opozitës maqedonase vjen pas vendimit të kryeministrit, Zoran Zaev, që të refuzojë dorëheqjet e ofruara nga Filipçe dhe Hasani.
“Pyetja jonë deri te shumica parlamentare dhe deri te qeveria është: edhe sa njerëz duhet të digjen për së gjalli si pacientë për të mbajtur përgjegjësi politike objektive, për një tragjedi të këtillë si rezultat i papërgjegjësisë së pushtetit. Para pesë ditë në Romani ndodhi zjarr në spital ku humbën jetën pesë njerëz dhe ra e gjithë qeveria, në Maqedoni, para një muaji, u dogj spitali modular dhe ra vetëm një kabël vazhdues me të cilin Zaev nënçmon inteligjencën e qytetarëve.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Veç kësaj VMRO DPMNE nuk heq dorë as nga kërkesa për formimin e një Komisioni Anketues në Kuvend.
“VMRO DPMNE do të mbetet në kërkesën e saj për formimin e Komisionit Anketues me të cilin do të kryesonte deputet i opozitës, pasi të kemi raportin e plotë për zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe jo segmente parciale të cilat i përshtaten Zaevit, ku në vend të Venko Filipçes dhe Ilir Hasanit fajtorë janë kablloja dhe karikuesi në spitalin modular.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Nga kabineti i kryepralamentarit thonë se një nismë për seancë urgjente ende nuk ka ardhur në Kuvend dhe se kryetari nuk komenton qëndrime politike.