Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka nisur një takim në Rashkë të Serbisë me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.
Takimi po mbahet në kazermën lokale dhe të pranishëm janë zyrtarë të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe përfaqësues të ushtrisë së Serbisë.
Ky takim mbahet pas një aksioni të zhvilluar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës, që u zhvillua edhe në komunat në veri të Kosovës. Aksioni policor u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët protestuan dhe ngritën bllokada në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Bllokada në Mitrovicë të Veriut pas aksionit kundër kontrabandës
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se nëse diçka e tillë ndodh edhe një herë, do të ketë një rezistencë të përgjithshme të popullit serb.
“Nëse diçka e tillë ndodhë herën tjetër, ne do të bëjmë rezistencë të përgjithshme. Çfarë do të thotë kjo dhe sido që e kuptoni ju, president. Ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi në dispozicion”, tha Rakiqi në takim.
Vuçiq u tha të pranishmëve se nëse është e nevojshme ai do të qëndrojë gjithë natën në Rashkë dhe shtoi se ai dëshiron që të dëgjojë mendimet e të gjithë të ftuarve.
“Ne do t’i zgjidhim të gjitha keqkuptimet”, tha Vuçiq, duke iu drejtuar të mbledhurve.
“Unë nuk do të flas për atë se sa ishim në vitin 1961 dhe se si ramë nga 27 në 11 për qind. Unë nuk do të kaloj nëpër zgjidhje të këqija nga viti 19999, heshtje në pogrom në 2004, ose në 2008, kur Kosova, kur Prishtina shpalli pavarësinë”, tha Vuçiq.
“Tetë vjet po kërkojmë të drejtat tona dhe po shohim se cilat janë rezultatet. Kështu që unë e kuptoj pakënaqësinë. Tani na ka mbetur vetëm mosbindja civile dhe largimi nga të gjitha institucioneve të Kosovës”, tha një nga përfaqësuesit e serbëve, i pranishëm, në takim.
Përveç Vuçiqit, në takim marrin pjesë edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ai i Mbrojtjes, Nebojsha Stafanoviq si dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe qytetarë serbë nga Kosova, të cilët paraqitën problemet e tyre, kërkuan mbrojtje nga shteti i Serbisë dhe përdorën shprehje fyese kundrejt shqiptarëve.
Në takim, disa qytetarë nuk ishin të kënaqur me reagimin e Serbisë dhe zyrtarëve të saj dhe e ndërprenë tubimin. Vuçiq kërkoi nga të pranishmit në këtë takim të qetësohen pasi ata filluan të akuzojnë njëri-tjetrin.