Bekteshi: Realizimi i Projektit të USAID-it, me rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit energjetik në shtet

Me realizimin e këtij Projekti, arritëm që për më pak se 6 muaj të miratojmë Ligjin e ri të energjetikës të harmonizuar plotësisht me Pakon e tretë energjetike të BE-së dhe Direktivën për promovimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.
Krahas vendosjes së liberalizimit të plotë të tregut të energjisë elektrike, emërimit të Furnizuesit universal dhe risive të tjera, një nga sukseset më të mëdha për të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut është përmendur si shembull në mesin e vendeve të Bashkësisë energjetike ishte pikërisht rezultat i bashkëpunimit të përbashkët me Projektin, me mbështetjen e të cilit arritëm të vendosim dhe zbatojmë mekanizëm të ri të tregut për rritjen e hises së energjisë së ripërtërishme në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në vend.
Projekti gjithashtu dha kontribut të madh në hartimin e Ligjit për efikasitet energjetik, me zbatimin e të cilit nxisim kursime në konsumin e energjisë, gjë që në këtë kohë është me rëndësie të veçantë dhe mund të japë kontribut të madh në zvogëlimin e nevojës për energji, veçanërisht duke marrë parasysh krizën energjetike në këtë moment në suaza globale.
Bashkëpunimi i shkëlqyer që kishim me ekipin e Projektit në katër vitet e fundit la pas vetes shumë rezultate dhe aktivitete të realizuara me sukses.
Pres që mbështetja e USAID -it të vazhdojë në të njëjtin drejtim, madje me dinamikë edhe më të madhe, dhe t’i tejkalojmë së bashku sfidat që na presin në periudhën e ardhshme.

Marketing