Përfaqësuesi i skenës artistike të Kosovës, Visar Mulliqi, në Galerinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në hapësirën e galerisë Çifte hamam, do të prezantohet para publikut me ekspozitën me titull “Jashtë ngjyrave”. Hapja e ekspozitës është planifikuar për në 28 tetor 2021, në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor 2021.
Në kuadrot ekspresive të Visar Mulliqit, ndodhesh brenda një universi të turbulluar, ku ndërthuren në mënyrë mjaft të dukshme shqetësimi dhe përjetimi ekzistencial i autorit, emocioni i tij i mbërthyer në psikologjinë e një numri të madh figura të abstraguara herë-herë si njolla dinamike që pulsojnë pareshtur kuadrot. Këto figura ekspresive kthehen në një lajtmotiv origjinal në krijimtarinë e tij, si dhe me tensione të dukshme dhe të fshehta në strukturat kompozicionale herë – herë poetike e herë –here dramatike. Çdo element i përdorur në kuadrot e tij shfaqet si formë e pastër në vetvete pa marrë përsipër të komunikojë ndonjë mesazh të caktuar.
Veprat e piktorit Visar Mulliqi dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku profesionalizmi dhe origjinaliteti artistik po konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar me një dimension ekspresionist, e që ngrit shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek publiku.