BDI: Nuk ka kthim prapa nga rruga e zhvillimit, më 31 Tetor rrethoni numrin 3

Në konferencën e sotme për shtyp, Bashkimi Demokratik për Integrim ka
shprehur vlerësimin për fushatën zgjedhore në tërësi duke e cilësuar si
dëshmi e pjekurisë demokratike të vendit dhe rezultatin e arritur në
rrethin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 Tetor.

Marketing

Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani deklaroi se
procesi zgjedhor i rrethit të parë ka qenë nga më të suksesshmit, jo
vetëm për arsye të rezultatit të arritur të BDI-së, por mbi të gjitha
për suksesin dhe përkrahjen e madhe për agjendën e blertë të rëndësishme
për zhvillimin e komunave dhe shtetit në përgjithësi në një dimension më
të avancuar dhe cilësor.

Ai ka apeluar deri te qytetarët që më 31 Tetor të dalin dhe të votojnë
për ti hapur rrugën e realizimit programeve të Bashkimit Demokratik për
Integrim me projekte për zhvillim edhe më cilësor të komunave të vendit.
Osmani ka bërë thirrje edhe që të votohet Petre Shilegov si kryetar i
Qytetit të Shkupit për të siguruar vazhdimësinë e zhvillimit të qytetit,
avancimin e tij infrastrukturor dhe për të pasur një qytet i cili do të
jetë i barabartë për të gjithë.

Në vazhdim po ua dërgojmë fjalimin e plotë nga konferenca për shtyp:

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,

Sot është dita e fundit e fushatës, para rrethit të dytë të zgjedhjeve
lokale, të dielën më 31 tetor.
Simbolikisht, edhe sot do të na dëgjoni ne, politikanëve, kandidatëve,
pretendentët për kryetarë komunash, ndërsa nga nesër ju flisni. Nga
nesër fjalën e keni ju, zëri juaj e ka radhën: të mendoni, të vlerësoni
dhe të dielën zërin tuaj do ta dëgjojmë ne.

Dhe kjo është e mira, prandaj ky është përfitimi më i madh i
demokracisë. Mundësia që me votën tuaj të vendosni edhe për atë se kush
do ta udhëheqë pushtetin lokal, kush do të jenë kryetarët e komunave, të
cilët do t’i rregullojnë rrugët dhe trotuaret tuaja, kush do të jenë
njerëzit që do të kujdesen për lagjet dhe shkollat tuaja, si dhe kush do
të jenë përfaqësuesit politik që do të zgjedhin drejtimin në të cilin do
të zhvillohen komunat tuaja.

Jam i kënaqur që kishim fushatë të gjerë, informative dhe garuese në të
cilën qytetarët morën pasqyrë reale për të gjitha ofertat. Fushata ishte
fer, me mundësi të barabarta që secili ta prezantojë ofertën e tij dhe
vendimin të cilin të dielën do ta bartë secili nga ne, do të jetë
informues dhe me pozicione të qarta politike.

Të nderuar qytetarë,
Për ne nga BDI këto janë një prej zgjedhjeve më të suksesshme. Këtu nuk
flas vetëm për rezultatin e rrethit të parë me mbi 100 mijë vota dhe
disa komuna të fituara, por për suksesin e partisë që të imponojë një
mendim të ri politik- tërësisht ofertë e re, e cila është shumë e
rëndësishme edhe për zhvillimin e Komunave dhe zhvillimin e shteti në
përgjithësi.

Përskaj rezultatit, ne jemi krenarë që Agjenda e blertë u imponua si
narracion i obligueshëm politik i gjithë shoqërisë, proces që hy në një
fazë të strukturuar, e parashikuar nga e cila kthim mbrapa nuk ka;
përkundrazi, me suksesin që e presim edhe në rrethin e dytë të Agjendës
së blertë mbetet obligim edhe për përfaqësuesit e pushtetit lokal,
ndërsa drejtpërsëdrejti edhe për Qeverinë dhe të gjithë institucionet e
tjera dhe vepruesit shoqëror.

Qytetarët duhet ta dinë se të dielën kanë zgjedhje për një ofertë dhe
koncept të qartë, nga njëra anë, dhe një koalicioni të pakuptueshëm me
ideologji dhe qëllim politik të paqartë nga ana tjetër. Ne dhe
koalicioni ynë i gjerë kemi ofertë të qartë: Teuta Arifi për Tetovën, në
programin e së cilës gjenden projektet më të rëndësishme të Agjendës së
blertë, nga trajtimi i ujërave të zeza, gazifikimi i qytetit e deri te
realizimi i korridorit 8-të, në këtë linjë është edhe Nevzat Bejta për
Gostivarin- i çmuar, punëtor dhe kandidat I suksesshëm, i cili jo vetëm
që do të sigurojë perspektivë të re për Gostivarin, por edhe do të
paraqesë edhe një lloj garance për të gjitha investimet në rajonin e
Pollogut.

E njëjta vlen edhe për kandidatët tanë tjerë, pa dallim se a bëhet fjalë
për Visarin këtu në Çair, ose për Ridvanin në Haraçinë, nëse për
Fatmirin në Zhelinë apo për Fatmirin në Kërçovë; pa dallim nëse bëhet
fjalë për Hekuranin në Dibër, Ramizin në Strugë, Nebiun në Vrapçishtë,
Nuhiun në Tearcë, Suadin në Çashkë, Urimin në Dollnen, Ejupin në
Studeniçan ose Besnikun në Bogovinë; pas çdo kandidati tonë qëndron edhe
Agjenda e blertë që është detyrimi ynë i ndërmarrë para qytetarëve në
këto zgjedhje. Është kjo një zgjidhje e mirë, që jo vetëm se është
garanci për Agjendën e Blertë në komunat tona por edhe garanci për
zbatimin e saj në rrjedhat shoqërore.
Jo më pak e rëndësishëm është zgjedhja jonë për kryetarin e kryeqytetit.
Shkupi është qytet i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e tij, ndërsa
Petre Shilegov e dëshmoi pikërisht këtë, se Shkupi mund të jetë qytet i
gjithë qytetarëve të saj. Katër vitet e fundit pamë se çka do të thotë
zhvillim i barabartë i qytetit, pa dallim nëse në disa rajone të
caktuara jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, boshnjakë, romë, serbë apo
vlleh.

Shkupi mbetet qytetet i të gjithëve, qytet për të gjithë- dhe këtë duhet
ta ruajmë. Kjo është e rëndësishme edhe për ne shkupjanët, por është e
rëndësishme edhe për ambientin multikulturor të shtetit, në përgjithësi.