Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar dorëheqjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, shkruan Gazeta Metro.
Ai ndryshe nga shumica e analistëve këtë dorëheqje nuk e lidhur me rezultatin e Zgjedhjeve Lokale të mbajtuar atje por me një proces tjetër që ka qenë para tij, specifikisht me bisedimet me Bullgarinë.
Ai këtë humbje e ka parë si një pretekst fantastik për t’i ikur pushtetit, rrjedhimisht edhe përgjegjësisë.
“Shumë njerëz dorëheqjen e Zaevit e kuptuan si veprim të një lideri që merr përgjegjësi për humbjen në zgjedhje. Por, ky veprim i Zaevit nuk besoj se reflekton ndonjë besim të tij në etikën demokratike.Në Ballkan nuk merret seriozisht ky term.Zaevi mezi ia doli ta përballojë marrëveshjen e emrit me Greqinë dhe, sigurisht, ai e dinte se nuk do të mund ta përballojë edhe një sfidë tjetër, po aq të rëndë: sfidën identitare të vendosur nga Bullgaria, e cila shtetit të tij ia ka mbyllur dyert e integrimit europian. Humbja në zgjedhje ishte pretekst fantastik për të që t’i ikë kësaj barre mbytëse”.