BDI mbështet synimet për mbrojtjen e ambientit jetësor nga ndryshimet klimatike

Bashkimi Demokratik për Integrim mbështet dhe angazhohet fuqishëm për zbatimin e politikave dhe synimeve globale të mbrojtjes së ambientit jetësor nga ndryshimet klimatike. Në kuadër të Samitit të Klimës #COP26 në Glasgow u prezantuan veprimet dhe ambiciet nacionale klimatike që janë të lidhura ngushtë me agjendën e blertë si orientim programor i Qeverisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim.

Marketing

Në programin disa ditor të negociatave për klimën, do të prezantohet edhe Kontributi i Rishikuar Kombëtar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili njihet si një nga kontributet më ambicioze të rishikuara në Marrëveshjen e Parisit.

Republika e Maqedonisë së Veriut angazhohet të reduktojë emetimet e gazrave serë me 51% ose të shprehura në emetimet neto, në vitin 2030 një ulje prej 82% krahasuar me nivelet nga vitet e kaluara.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se një arritje tjetër shumë e madhe për një mjedis më të mirë e më të pastër është edhe angazhimi për kufizimin e emetimeve të metanit, bazuar në politikat dhe masat e analizuara dhe të miratuara më parë në dokumentet strategjike klimatike.

Samitin e Klimës në Glasgow e vlerësojmë si një mundësi të mirë për zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballjen më efikase me sfidat e përbashkëta të ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së ambientit jetësor.