Fotografia të cilën në Fejsbuk e publikoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski, e pastaj edhe Taravari nga Aleanca për shqiptarët befasoi shumë njerëz. Jo për shkak të shumicës së krijuar, por për shkak të përbërjes së atyre që ishin ulur në atë tavolinë – përfaqësues të VMRO-së, Aleancës, Besës, Alternativës dhe partisë E Majta. Pikërisht lideri i kësaj partie, Dimitar Apasiev është figura më e çuditshme. Arsyeja është e thjeshtë. Gjatë periudhës së fundit, Apasievi dhe partia e tij vazhdimisht drejtonin kritika dhe publikisht deklaroheshin se janë kundër NATO-s, Marrëveshjes së Ohrit, Marreveshjes së Prepsës dhe dygjuhësisë. Prandaj, parashtrohet pyetja – si kanë gjetur gjuhë të përbashkët me këtë parti, kur të gjithë të tjerët në këtë tavolinë, në mënyrë deklarative kanë qëndrime të kundërta me partinë e Apasievit sa u takon çështjeve me karakter nacional?
“Supozoj se partitë shqiptare i kanë marrë parasysh të gjitha pasojat. Sipas mendimit tim, siç i shoh unë gjërat, Aleanca për shqiptarët tashmë ka paguar kosto të lartë me koalicionin parazgjedhor me VMRO-DPMNE. Koalicion me partinë E Majta është vetëvrasje politike për çdo parti politike”, tha analisti Sefer Selimi.
“E Majta mund vetëm ta përkrahë Qeverinë, ata nuk e kanë patjetër të marrin pjesë në Qeveri. Ndoshta kjo është rrugëdalja sa u takon marrëveshjeve që janë arritur sonte. Është fakt se dikush nga shumica aktuale tashmë jep sinjale se ka gjasa të kalojnë në anën tjetër, këtu e kam fjalën për partitë më të vogla që në zgjedhjet garuan si të pavarura. Në një situatë të këtillë, Mickoski do të kishte shumicë komode bile edhe pa votat e Së Majtës. Në qoftë se shqiptarët nuk mund të pranojnë të jenë bashkë në Qeveri me këtë parti, atëherë ai do të mund ta zëvendësojë me parti të tjera”, u shpreh analisti Nikolla Dujovski.
Tani mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, gjegjësisht nëse VMRO-DPMNE do të formojë Qeveri ose do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare, gjë të cilën nga kjo parti vazhdimisht e kanë kërkuar.