RMV bëhet anëtare e plotë e IHRA, meritorë ITSHKSH

Republika e MaqedonisësëVeriut është pranuar si anëtare e plotë e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA).Sivjet, në kuadër të kryesimit grek me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA), nga data 2-10 nëntor 2021, u mbajtën mbledhjet plenare (online #IHRAfromThessaloniki), në të cilën njëzëri u mor vendimi për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare e plotfuqishme e 35-të e IHRA.

Marketing

Merita kryesore për këtë anëtarësim i takon Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, i cili është ndër institucionet e rralla në rajon që ka një strategji dhe një orientim në kultivimin e programeve studimore e edukuese në trajtimin e Holokaustit. Në kuadër të ITSHKSH tash më tri vjet funksionon Departamenti për kujtimin dhe edukimin e Holokaustit, kurse në strategjinë e këtij Departamenti përfshihen një mori projektesh e aktivitetesh.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ia kishte besuar këtij Departementi botimin e Doracakut për edukimin për holokaustin, në katër gjuhe ( shqip, maqedonisht, serbisht dhe turqishtke), të cilin projekt në afat rekord instituti e realizoi.

Doracaku katër gjuhësh për mësimet nga holokausti, përmes përparimit dhe promovimit të arsimit, kujtimit dhe studimit të holokaustit, nderon viktimat, por gjithashtu gjeneratat e reja do të mësojnë për pasojat e krimit më të madh mbi njerëzimin. Në këtë mënyrë është krijuar baze e fortë për krijimin e infrastrukturës shkencore dhe hulumtuese, përfshi edhe botimin e Memoareve të të mbijetuarve të holokaustit, të cilat ITSHKSH i ka marrë përsipër dhe me sukses ia ka plasuar opinionit publik. Botimi i këtyre memoareve ka ardhur si rezultat i realizimit të vizitave dhe kontakteve me të mbijetuarit që janë bërë në Izrael nga ana e drejtuesve të ITSHKSH.

Pastaj është botuar libri tregjuhësh “LEGJISLACIONI BAZIK MBI ANTISEMITIZMIN I MBRETËRISË BULLGARE” – një përmbledhje dokumentesh nga autorët: Skender Asani, Nora Maliqi – Zylali dhe Vlado Popovski.

Puna e ITSHKSH në promovimin e vlerave humane, që kanë pasur si fokusim kujtimin dhe edukimin e Holokaustit, nuk ka mbetur pa u vërejtur nga institucionet kredibile ndërkombëtare, përfshi edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili e kishte poitencuar punën e ITSHKSH-së në dy raportet vjetore të tij.

Përkundër këtyre kontributeve të ITSHKSH, megjithatë delegacioni i Maqedonisë së Veriut i kryesuar nga ambasadori Jovan Tegovski, siç mësojmë jozyrtarisht, është cilësuar nga IHRA me mangësi për arsye se nuk shpreh mozaikun shumetnik të Maqedonisë së Veriut. Kjo vërejtje mbase do të duhej të merret parsysh në të ardhmen në mënyrë që në përbërjen e delegacionit të Maqedonis së Veriut në IHRA të përfshihen edhe përfaqësues nga komuniteti shqiptar, pse jo edhe nga ITSHKSH.

IHRA është një organizatë ndërqeveritare e cila paraqet platform ku përfaqësues të qeverive të shteteve anëtare, ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë shkëmbejnë ide dhe përvoja mbi politikat dhe aktivitetet specifike në fushën e përkujtimit të Holokaustit, edukimit dhe hulumtimit, dhe së fundmi në fushën e gjenocidit ndaj romëve. Organizata po fiton një rol gjithnjë e më shumë ndërkombëtar dhe rëndësia e saj manifestohet në aktivitetet e saj në luftën kundër antisemitizmit, mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit, gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, ksenofobisë dhe racizmit.

Përveç Maqedonisë së Veriut, IHRA ka një numër të madh shtetesh anëtare të BE-së (25), SHBA, Izrael, Kanada, Argjentinë, Australi etj., si dhe disa partnerë të përhershëm ndërkombëtarë – OKB/UNESCO, Këshilli i Evropës, OSBE/ ODIHR, Komisioni Evropian dhe të tjerë.