Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama teksa ka folur për integrimin e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ka vlerësuar se “BE-së nuk i duhet një BP ku ka konflikte, ku ndjenja e mërzisë dhe tradhtisë së Bashkimit Evropian mund të prevalojë”.
Duke folur për zhvillimet e fundit në rajon, ai ka shtuar se dinamika e integrimit varet nga ne (BP) dhe se shenjat që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe kufiri i Kosovës me Serbinë nuk janë të mira.
“Procesi i integrimit është i pakthyeshëm por shpejtësia e tij diktohet nga dinamikat tjera. Për sa i përket specifikisht që i shohim në rajon këto ditë, që nuk janë shenja të mira, as në Bosnje, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë,… janë një arsye më shumë për të bashkuar forcat dhe rritur bashkëpunimin. Unë e përsëris, Ballkani i Hapur nuk është një çelës magjik, nuk është e vetmja gjë që mund të imagjinohet, por është një instrument, një mekanizëm që i shërben këtij qëllimi”, tha Rama në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin holandez, Mark Rutte.