RMV/ humbi jetën një mjeke 42 vjeçare nga Kovid 19

Një mjeke 42 vjeçare nga Kumanova është viktima e radhës nga virusi Korona në vend. Nga spitali “8 shtatori” kanë njoftuar se mjekja 42 vjeçare ka humbur jetën mbrëmë, ndërsa ajo para tre ditësh në gjendje të rënduar ishte transferuar për trajtim nga spitali i Kumanovës.

Marketing

“Në spitalin tonë është sjellë me 60 për qind saturim. Pacientja po trajtohej në kushte shtëpiake, derisa i është rëndruar gjendja. Pas tri ditësh trajtim në “8 shtatori”, asaj i është dhënë edhe plazmë konvencionale dhe remdisivir, por nuk arriti të mbijetojë.”,- thonë nga Spitali “8 shtatori”.

Nga spitali njëherit bëjnë të ditur se 42 vjeçarja përballej me mbipeshë prej 150 kilogramësh, ndërsa kishte edhe sëmundje kronike, si sindrome metabilizimi dhe diabet.

Ndërsa autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave apo në fillim të javës që vjen do të qartësohet nëse rritja e rasteve pozitive ditëve të fundit ka të bëjë me valë të re të virusit Korona. Të premten do të mblidhet Komisioni për Sëmundje Infektive, por ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se nuk priten masa të reja restriktive. Autoritetet shëndetësore njëherit apelojnë te qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse si dhe të vaksinohen.