Iku nga lufta si 14 vjeçar, Safeti tani është kuzhinieri i njohur në Zvicër

Gazeta italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një artikull kuzhinierit nga Klina që quhet Safet.

Marketing

Në artikullin për Safetin thuhet se ai ishte vetëm 14 vjeçar kur në vitin 1999 iku nga Klina pas luftës në Kosovë.

“Serbët vranë edhe ata më të pambrojturit. Kam parë fëmijë të hedhur në erë nga minat. Na u desh një ditë për të hipur në një tren që shkonte përtej kufirit, i mbushur me njerëz të dëshpëruar. Në Maqedoni ishte ngritur një kamp refugjatësh me shumë njerëz”, ka deklaruar Safeti për “La Repubblica”, transmeton Klankosova.

Më vonë Safeti dhe familja e tij arrijnë në Romë të Italisë ku dera e parë që trokitën ishte mensa “Centro Astalli” – qendër që ndihmonte refugjatët – e cila ofronte një vakt ushqimi, mundësi për të bërë dush një herë në ditë dhe një shtrat.

Me ndihmën e kësaj qendre, Safeti mësoi italisht dhe vijoi mësimet në shkollën e hotelerisë ku edhe zbuloi pasionin e tij për gatimin.

Sot, Safeti ka nënshtetësi italiane dhe e ka restorantin e tij në Zvicër i cili, sipas “La Repubblica”, ka fituar shumë çmime.

Në ndërkohë nesër bëhen 40 vjet prej kur qendra ku Safeti gjeti mbështetje si refugjat i ikur nga lufta në Kosovë ndihmon të gjithë ata që ikin nga luftërat dhe dhuna.

Tash kjo qendër shtrihet në shtatë qytete, ndihmon 20 mijë migrantë, shpërndan 300 vakte ushqimi në ditë dhe ka katër vende ku mund të strehohen të gjithë ata që ndjehen në rrezik.