Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot ka publikuar programin dhe vendimet që do t’i merr në 100 ditët e para të qeverisjes së tij, pasi e mori mandatin si kryetar i Tetovës.
Kasami tha se fillimisht do të rishikojë të gjitha kontratat dhe marrëveshjet e Ndërmarrjeve Komunale, shkollave dhe çerdheve dhe të njëjtat do t’i bëjë publike për opinionin.
Ai gjithashtu tha se do të largohen shtyllat sinjalizuese për korsitë e biçikletave, si dhe parkingu do të jetë pa pagesë deri në një afat të caktuar, gjegjësisht deri sa të shihet puna e ndërmarrjes publike për parkingjet.
“Programi për 100 ditët e para përfshinë: Detektimin dhe rishikimin e të gjitha kontratave, të ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve; Transmetimi drejtpërdrejt i seancave të këshillit komunal; Aksion mbarë qytetarë për largimin e mbeturinave; Vendosjen e kontejnerëve për klasifikimin e mbeturinave; Riparimi i mundshëm i kontejnerëve ekzistues dhe vendosja e tyre shtesë. Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura në infrastrukturën rrugore; Largimi i shtyllave sinjalizuese për korsitë e biçikleta; Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë; Identifikimi i borxhit të komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve dhe publikimi i tyre; Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale”, tha Kasami.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me raportin e punës së komunës, Kasami tha se janë vërejtur shkelje ligjore të afateve dhe shkelje të procedurave të tenderimit. Ai theksoi se brenda një kohe të shkurtë do të publikohet revizioni për punën e deritanishme të komunës.