Kirurg në SHBA, emërohet ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar këtë të martë, Rifat Latifin, kirurg i njohur që punon e jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në postin e ministrit të Shëndetësisë.

Marketing

Gjatë një konference të përbashkët me Kurtin, Latifi tha se përparësi e punës së tij do të jetë ngritja e standardeve mjekësore, arsimimi, trajnimi dhe specializimi për punëtorët shëndetësorë.

Ai u zotua se për krijimin e kushteve që mjekët të mos ikin jashtë Kosovës.

“Do të ndërpresim largimin e trurit mjekësor e shkencor nga vendi. Nëse e rregullojmë shtëpinë tonë, do ta bëjmë kthimin e trurit të larguar, që të bëjmë ngritjen e standardeve mjekësore. Të gjithë ata që duan të kthehen mund të vijnë ta ndihmojnë Kosovën”, tha ai.

Latifi ka studiuar në Universitetin të Prishtinës dhe më pas ka vazhduar specializimet për kirurgji të përgjithshme, traumatologji dhe reanimacion në Shtetet e Bashkuara, është profesor dhe drejtues i departamentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut.

Emërimi i zotit Latifi në postin e ministrit të Shëndetësisë u mirëprit edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i uroi suksese ministrit të ri.