Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga aeroporti i Rinasit foli në lidhje me ngjarjen horror që u regjistrua dje në Fier, ku u vra në mënyrë monstruoze 8-vjeçari Mateo Vllasia.
“E pangushëllueshme për prindërit, familjen e të afërmit dhimbja e humbjes tragjike të vogëlushit Mateo, nga Grecallia e Fierit, e cila tronditi mbarë shoqërinë pasditen e djeshme. Reagimi i menjëhershëm dhe shpejtësia e kapjes së autorit nga Policia e Shtetit, duhet medoemos të pasohen nga ndëshkimi më ekstrem i drejtësisë për barbarin. Asgjë nuk e shlyen humbjen dhe lehtëson peshën e kësaj barbarie mbi zemrën e mendjen e nënës, babait e familjarëve të vogëlushit, por duke u shprehur atyre ngushëllimet më vëllazërore, presim me padurim verdiktin e merituar të drejtësisë. I takon drejtësisë që të veprojë sa më shpejt që të marrë masën më ekstreme sa i përket drejtësisë shqiptare. E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje e prandaj ju thirra këtu”, tha Rama.
Si ndodhi ngjarja?
Një ditë më parë në Fier, 8-vjeçari Mateo Vllasia është gjetur i pajetë në Fier. Në lidhje me ngjarjen u arrestua nga Policia e Fierit, Klodian Çalamani, pasi fillimisht dyshohej se ishte personi që rrëmbeu dhe më pas vrau të miturin 8-vjeçar, i cili ishte i zhdukur.
8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e 38-vjeçarit. Kjo ka hedhur dyshime tek policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.
Vetëm pak minuta më vonë është arritur të ndalohet 38-vjeçari Klodian Calameni, i cili e pranoi vrasjen.
Ai jeton i vetëm në shtëpinë e tij pasi babanë dhe vëllanë e ka në burg në Greqi ndërsa e ëma jeton në Maqedoni.
Rrethanat e këtij akti makabër janë ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e dëshmisë së autorit.