Detaje të reja janë zbardhur mbi krimin e rëndë që tronditi dje në mbrëmje Deçanin, ku një person hapi zjarr në drejtim të një autobusi, duke lënë të vrarë shoferin dhe dy nxënës.
Përfaqësuesi i fshatit Gllogjan Mustafë Selmanaj në një intervistë për “News 24” bëri me dije se në momentin e ngjarjes nuk ka pasur pasagjerë në autobus dhe se kanë qenë vetëm 9 nxënës. Ai shtoi se atë ditë autobusi e ka bërë itinerarin Gllogjan-Gjakovë-4 herë.
“Mbrëmjen e kaluar na ndodhur një tragjedi që nuk mbahet mend, kaq e madhe dhe e dhimbshme që nuk e mbajmë mend më përpara. Jam njoftuar rreth orës 19:00. Më mori prindi i një fëmije më tha shko se më ka mbet fëmija atje. Kam shkuar dhe kam parë atë tragjedi. Dikush ka dalë me breshëri arme duke vrarë shoferin dhe 2 fëmijë. Kanë qenë 9 fëmijë në autobus.
Ka pasur nevojë për trajtim mjekësor pasi ishin të stresuar. Vetëm qanin, ishin terrorizuar. Ky autobus ka qenë linjë e rregullt Gllogjan-Gjakovë. Atë ditë ai ka qarkulluar 3-4 herë në ditë me nxënës. Në autobus s’ka pasur pasagjerë, por vetëm nxënës. Ata kanë qenë 2 engjëj dhe s’kanë pasur konflikte me asnjë.
Personi ka qenë i maskuar, ka qenë vetëm një dhe sipas nxënësve ai është larguar në këmbë. Autobusi eci 50 metra me shofer të vrarë e më pas ra në kanal. Ka qenë fati që fëmijët kanë lajmëruar prindërit dhe më pas ka ardhur policia. Në emër të fshatit dhe Komunës së Deçanit kërkojmë nga autoritetet të gjejnë autorin që ka bërë këtë krim të rëndë”- tha ai për News 24.