Lista e vendeve që po vendosin kufizime udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut po zgjatet pasi zbulimi i variantit të ri të koronavirusit Omicron ngjalli shqetësim global dhe shkaktoi rënie të tregjeve financiare.
Por në një shenjë se kufizime të tilla mund të mos pengojnë përhapjen e variantit, Britania konfirmoi të shtunën se kishte zbuluar dy raste të tij dhe autoritetet në Gjermani dhe Republikën Çeke thanë se kanë raste të dyshuara.
Dy rastet e Omicronit të zbuluar në Britani ishin të lidhura me udhëtimet në Afrikën jugore, tha ministri i shëndetësisë Sajid Javid.
Dhe në Gjermani, një ministër i shtetit perëndimor tha të shtunën se Omicron mund të ketë mbërritur në vend Gjermani, pasi u zbuluan mutacione të koronavirusit tek një pasagjer që kishte mbërritur nga Afrika e Jugut.
Varianti u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe që atëherë ishte zbuluar edhe në Belgjikë, Botsvanë, Izrael dhe Hong Kong.
Autoritetet e shëndetësisë në Holandë thanë të shtunën se kishin zbuluar 61 raste me COVID-19 midis personave që kishin udhëtuar me avion nga Afrika e Jugut të premten dhe po bëjnë testime të mëtejshme për të zbuluar nëse ndonjëri prej tyre ishte i infektuar me variantin e ri Omicron.
Rastet u zbuluan mes rreth 600 pasagjerëve që mbërritën në aeroportin Schiphol të Amsterdamit me dy avionë të premten përpara se qeveria holandeze të ndalonte trafikun ajror nga Afrika Jugore për shkak të shqetësimeve mbi variantin e ri.
Megjithëse epidemiologët thonë se kufizimet e udhëtimit mund të jenë tepër vonë për të ndaluar Omicronin të qarkullojë globalisht, shumë vende në mbarë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e BE-së njoftuan ndalime ose kufizime udhëtimi në Afrikën Jugore të premten.
Të shtunën, Australia tha se do të ndalojë hyrjen e joshtetasve që kanë qenë në nëntë vende të Afrikës Jugore dhe do të kërkojë karantina të mbikëqyrura 14-ditore për qytetarët australianë që kthehen nga atje.
Japonia tha se do të zgjerojë kontrollet e saj kufitare në tre vende të tjera afrikane pasi vendosi kufizime në udhëtimet nga Afrika e Jugut, Botsvana, Eswatini, Zimbabve, Namibia dhe Lesoto të premten.
Afrika e Jugut është e shqetësuar se kufizimet do të dëmtojnë turizmin dhe sektorët e tjerë të ekonomisë së saj, tha të shtunën ministria e jashtme, duke shtuar se qeveria po angazhohet me vendet që kanë vendosur ndalime udhëtimi për t’i bindur ata t’i rishqyrtojnë vendimet.