Vrasja e trefishtë në Gllogjan, autori i krimit vazhdon të jetë në arrati

Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga momenti kur një person ka shtënë me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit, duke lënë të vdekur shoferin e autobusit, Gani Gjokaj dhe dy nxënësit pasagjerë Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj.

Marketing

Për identifikimin dhe gjetjen e autorit, apo autorëve të krimit të mbrëmshëm, janë angazhuar një numër i madh forcave të rendit, Njësiti Special i Policisë së Kosovës dhe po bëhen hetime edhe në koordinim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Deri tash, përveç konfirmimit që hetimet po zhvillohen në tri pista të ndryshme, asgjë më shumë nuk është bërë e ditur në lidhje me rrethanat, apo motivet e vrasjes së trefishtë.

Prokuroria e Shtetit disa orë pas ngjarjes ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të Kosovës, që për çfarëdo informacioni që mund të çoj në identifikimin apo kapjen e autorit/autorëve lë njoftojnë organet e rendit.


Mëngjesin e së shtunës është bastisur një shtëpi në Gllogjan, por që nuk ka rezultuar me ndonjë provë apo identifikim të kryesit apo kryerësve të mundshëm.

Kërkimi po vazhdon nga të gjitha anët, teksa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë marrë informacione të shumta në lidhje me ngjarjen.

Sahide Gashi, prokurore e rastit të mbrëmshëm në Gllogjan ku u vranë tre persona, në mesin e të cilëve edhe dy nxënës tha se janë duke intervistuar shumë persona dhe çdo dëshmitar okularë, si dhe kanë bastisur një shtëpi.

Një konferencë për medie u mbajt pasditen e së shtunës, ku ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka dhënë ultimatum vrasësit të tre personave në Gllogjan të Deçanit që të dorëzohet sa më shpejtë në Polici.

Sveçla tha se kanë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet që të zbulojnë këtë rast, transmeton Telegrafi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se janë duke marrë shumë informacione të ndryshme dhe kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.