Takim Osmani- Donfrid

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në margjinat e takimit ministror në NATO, në Riga realizoi takim bilateral me Ndihmëssekretaren Shterërore të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroazitatike, Karen Donfrid.

Marketing

Në takim u bisedua për raportet bilaterale mes dy vendeve, bashkëpunimin në NATO, perspektivat euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për ngjarjet aktuale politike në vend dhe rajon.

“SHBA është aleati dhe partneri ynë shumëvjeçar. Si aleatë në NATO, ne tash jemi të fokusuar që t’i përforcojmë marrëdhëniet në fushën e sigurisë, mbrojtjes, funksionimit demokratik të institucioneve, luftën kundër terrorizmit global, tregun e lirë ekonomik dhe t’i zgjerojmë mundësitë për aktivitetet afariste të të dy vendeve”, theksoi Ministri.

Ministri Osmani duke potencuar rolin e rëndësishëm të SHBA-së në arritjen e stabilitetit afatgjatë, demokratizimin dhe prosperitetin e vendit tonë dhe rajonit u falënderua për mbështetjen e fortë në vazhdimësi nga SHBA-ja, për realizimin e aspiratave euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bashkëbiseduesit i çmuan raportet bilaterale mes dy vendeve, si jashtëzakonisht të ngushta, të bazuara në partneritetin dhe bashkëpunimin strategjik, dhe u dakorduan që periudhën në vijim me përkushtim të punojnë në avancimin e mëtutjeshëm të dialogut dhe bashkëpunimin në fushat e interesit të ndërsjellë.