ShBA: Situatë kritike, BE të hapë negociatat me Shkupin dhe Tiranën!

Shtetet e Bashkuara thonë se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut meritojnë të ecin përpara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e rikonfirmoi qëndrimin amerikan për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, pasi Bullgaria tha se nuk do ta ndryshojë vendimin e saj për Shkupin deri në fund të vitit.

Marketing

“Është kritike që BE-ja t’u qëndrojë angazhimeve të saj dhe kjo do të thotë hapje pa vonesë e negociatave për anëtarësim si me Maqedoninë e Veriut, edhe për Shqipërinë. Procesi i zgjerimit të BE-së nxit paqen, qëndrueshmërinë, demokracinë dhe mirëqenien në gjithë rajonin dhe vonesat e panevojshme janë shkurajuese për gjithë rajonin”, tha zëdhënësi.

Departamenti i Shtetit bëri thirrje për zhbllokimin sa më të shpejtë të situatës “për të konsoliduar përparimin drejt reformave të nevojshme dhe zhvillimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë angazhimin e afërt me BE-në për këtë çështje”, tha zëdhënësi.

Bullgaria tha se nuk do ta miratojë kornizën negociuese me BE-në për Maqedoninë e Veriut, por se është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë për Shqipërinë, sipas shërbimitpër shtyp të qeverisë kalimtare bullgare.

“Bullgaria beson se Shqipëria është e gatshme të ecë përpara në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të mbështesë miratimin e Kornizës negociuese për vendin dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, qëndron në kumtesën e shërbimit për shtyp të qeverisë bullgare”, sipas qeverisë bullgare.

Qeveria e miratoi qëndrimin e Bullgarisë për pjesëmarrje në mbledhjen e Këshillit për Çështje të Përgjithshme më 14 dhjetor./VOA