Sot, më 18 Dhjetor 2021 në Spitalin e Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nëna Terezë” në Çair u lëshua në përdorim Reparti i Urgjencës tërësisht e rekonstruar si pjesë e spitalit. Reparti i urgjencës është tërësisht e rinovuar sipas të gjitha standardeve dhe përmban pajisjet dhe aparatet e teknologjisë më të fundit.
Reparti i Urgjencës ka sallë për intervenime kirurgjike si dhe kapacitetet tjera përgatitore dhe post operative. Me këtë projekt, Spitalin e Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nëna Terezë” në Çair“ është edhe një hap më para në dhënien më cilësore të shërbimeve shëndetësore.
Kapaciteti shërbyes i kësaj qendre është 1.500 intervenime në vit, që ekipi mjekësor do të ketë mundësi ti kryejë edhe më me cilësi.
Ky Repart i urgjencës perfshinë hapsirë prej 400 m2 dhe është tërësisht i rinovuar si donacion i kompanisë vendore Alma-M, me ndihmën e Eftinija dhe Tempo99 në vlerë prej rreth 8.000.000 denarë. Ky donacion vjen 3 vite pas një projekti tjetër të suksesshëm po ashtu me kompaninë Alma-M kur rinovuam tërësisht sallën e operacioneve.
“Para festës së Vitit të Ri morëm një dhuratë shumë të çmueshme, këtë sallë tërësisht të rinovuar të Urgjencës, që është lajm pozitiv në periudhë kur fatkeqësisht pandemia na jep shumë lajme negative. Në këtë sallë të re, ekipi ynë mjekësor do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe cilësi për ti kryer me sukses obligimet e përditshme.” -deklaroi drejtori i Gjinekologjisë së Çairit dr. Bashkim Ismaili.
Pronari i kompanisë Alma-M, Muarem Murtezani shprehi kënaqësi që donacioni i 3 viteve më parë është me sukses i mirëmbajtur dhe shprehi kënaqësi për bashkëpunimin e suksesshëm me Gjinekologjinë e Çairit në këtë projekt, si pjesë e strategjisë së kompanisë së tij për përgjegjësi shoqërore përmes investimeve në shëndetësi dhe arsimim.