A po e paralajmëron Menduh Thaçi largimin nga PDSH?

Kreu i PSDH-së, Menduh Thaçi pohon se partia e tij tash e sa vite po përballet me vështirësi për ekzistencën e saj, por kanë vendosur që të qëndrojnë në skenë, ndonëse siç shtoi, janë të dobët por nuk dinë të gënjejnë e mashtojnë.

Marketing

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Qendror të PDSH-së, u formua Këshillin për Organizimin e Kongresit të partisë, ku do të zgjidhen të gjitha organet e reja partiake. Po a do të vazhdojë Thaçi të jetë në krye të PDSH-së? Nuk u përgjigj drejtpërdrejt por tha se është i sigurt se kushdo që do e drejtojë partinë, do të ruaj bërthamën e saj.

“Besoj se do të vijë një kohë kur gjithë shqiptarët do ta kuptojnë se rruga e PDSH-së është më e drejta, edhe pse është më e gjata. Unë jam optimist se ne do arrijmë, kushdo qoftë që do ta drejtojë këtë parti në të ardhmen, që të ta menaxhojë këtë pakënaqësi dhe gjithmonë t’i përmbahemi bërthamës së kësaj partie. Ne sot nuk duam ta traumatizojmë situatën por vendimi i Kuvendit Qendrorë është se të gjithë organet e partisë janë në funksione teknike, Këshilli për organizimin e Kongresit e ka marrë në dorë edhe unë nuk përzihem në këto punë”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kuvendi i PDSH-së po ashtu vendosi që të gjitha organet partiake nga sot të jenë vetëm teknike deri në mbajtjen e Kongresit. Thaçi shprehet i lumtur që PDSH ndonëse me një deputet, arriti të ruaj këtë Qeveri.

“PDSH ka një deputet, po meritat e PDSH-së janë që nuk lejuan që eksponent i majtë, fashist, Levica, bashkë me Ziadinin dhe matrapazë të tjerë ta rrëzojnë këtë Qeveri që ka përcaktim properëndimor. Unë mendoj se shumë të kujdesshëm të jemi në këtë rrugë dhe unë dhe PDSH do bëjmë gjithçka që t’i bindim të gjithë faktorët, jo vetëm me ata që jemi në qeverisje, por që e kemi si qëndrim, Maqedonia po si hapi bisedimet rrezikon desintegrimin, a Shqipëria jo”, theksoi Menduh Thaçi, kryetar I PDSH-së.

Kongresi i Partisë Demokratike Shqiptare pritet që të mbahet në gusht të vitit 2022, ndërsa në bazë të statusit të kësaj partie të gjithë anëtarët e partisë mund të kandidojnë për cilindo organ të partisë.