Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin foli për Sky Sport gjatë vizitës së tij në Dubai për situatën në futboll.
Vala e re e koronavirusit po frikëson botën e futbollit por numri një i UEFA-s mbetet optimist duke treguar se programi i futbollit do të vijojë sipas planit
“Shqetësimi nuk të ndihmon, duhet të zgjidhësh problemet fillimisht. Ne jemi ende optimistë. Mendojmë se gjithçka do të jetë mirë. Viti i kaluar ishte më i keq se ky, sepse ne nuk dinim për virusin dhe ishte më i ashpër. Jam optimist dhe mendoj se ngjarjet e mëdha të futbollit botëror do të mund të vazhdojnë akoma dhe spektatorët do të mund të shikojnë”.
Ndër çështjet e diskutuara ishte edhe ajo e mundësisë së zhvillimit të Kupës së Botës çdo dy vite, megjithatë Ceferin është i prerë.
“Kupa e Botës duhet të jetë çdo katër vjet për të qenë interesante. Për më tepër, nëse mbahet çdo dy vjet, do të krijonte diferenca me futbollin e femrave dhe skuadrave të moshave, por dhe sporteve të tjera. Do të prisheshin ekuilibrat. Është thjesht një ide e keqe. Kupa e Botës është ngjarja më e madhe e futbollit dhe duhet të bëhet çdo katër vjet. Është shumë e qartë, rreth 75% e tifozëve në mbarë botën e refuzojnë ideja për ta realizuar atë çdo dy vjet”.