Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Bide dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike për afro një orë rreth situatës me Ukrainën.
Biden, gjatë kësaj telefonate e ka paralajmëruar Putinin se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo pushtimi të Ukrainës nga Rusia, ku e paralajmëroi se çdo hap i tillë do të ketë sanksione nga SHBA-të.
Ndërsa, Putin i tha Biden se çdo sanksion ndaj Rusisë nga SHBA-të do të ishte një “gabim kolosal”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Kjo është telefonata e dytë brenda këtij muaji, e kërkuar nga Rusia e cila zgjati për gati një orë.
Kurse, këshilltari rus për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, u ka thënë gazetarëve se Rusia nuk planifikon të pushtojë Ukrainën, teksa shtoi se trupat rus janë në kufi me Ukrainë për stërvitje.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se toni kishte qenë “serioz dhe thelbësor”.
“Presidenti Biden përsëriti se përparim thelbësor në këto dialogë mund të ndodhë vetëm në një mjedis de-përshkallëzimi,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
“Ai e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën”, shtoi ajo.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen për bisedime në Gjenevë muajin e ardhshëm dhe Shtëpia e Bardhë tha se Biden i kërkoi homologut të tij rus të ndiqte një zgjidhje diplomatike.