Është arrestuar autori i dyshuar i vendosjes se lëndës plasëse në derën e shtëpisë së kreut të FSHF-sw Armand Duka.
Burime bëjnë me dije se është vënë në pranga shtetasi A.H, banues i lagjes numër 4 në Durrës. 34-vjeçari vendosi në derën e banesës rreth 100 gram eksploziv me fitil.
Policia ka ndjekur kamerat e sigurisë së lagjes por edhe bizneseve dhe më pas është bërë e mundur dhe identiteti i autorit.
Sipas policisë dyshohet se autori lëndën plasëse e ka marrë në një pallat pranë lagjes nr.4.
Mësohet se ai nuk është një person me precedent të mëparshëm penal, sakaq bëhet e ditur se ai ishte pronar i një kompanie tregtare me aktivitet market, bar, kafe.
Një ditë më parë rreth orës 22:10, ka ndodhur një shpërthim i fortë në oborrin e banesës së Dukës, në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit. Brenda shtëpisë ndodhej bashkëshortja dhe djali i Dukës, ndërkohë ky i fundit shkoi në banesë vetëm pasi mori vesh për ngjarjen.
Si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, por nga shpërthimi ishte dëmtuar porta e jashtme e oborrit të banesës së Dukës.
Kamerat kanë filmuar edhe personin që ka hedhur dinamitin. Në lidhje me ngjarjen ka pasur edhe reagime të shumta, ndër ta dhe Lulzim Basha e Ilir Meta.
Një ngjarje e tillë ndodhi pas përplasjeve të hapura mes FSHF-se dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Për këtë të fundit FSHF publikoi audiopërgjimin ku Veliaj kërcënonte si dhe shantazhonte institucionin e futbollit me një fjalor rruge gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 në prag të zgjedhjeve për shoqatën e Tiranës që do mbaheshin pasditen e 24 janarit. /ATSH