Një finale spektakolare është zhvilluar në Australian Open, mes Rafael Nadal dhe Daniil Medvedev. Dueli zgjati për më shumë se pesë orë e 24 minuta.
Medvedev pati një start të mahnitshëm dhe setin e parë e fitoi me rezultatin 2:6.
Seti i dytë e pa një Nadal më luftarak dhe gjithçka u vendos të Tiebreak, ku Medvedev fitoi 6:7 (5:7).
Nadal dha më të mirën e tij në setin e tretë, duke fituar 6:4, për të shtyrë fatin e takimit. Të njëjtin efort spanjolli pati edhe në setin e katërt, kur theu servat e Medvedev qysh në fillim.
Nadal fitoi edhe setin e katërt me rezultat 6:4, për të çuar gjithçka në një set final.
Mentaliteti i jashtëzakonshëm i Rafael Nadal, së bashku me eksperiencën e tij e drejtuan atë në një paraqitje fenomenale në setin e pestë.
Ai theu servat e dyta të Medvedev dhe mori epërsinë që aty, duke fituar edhe servat e tij, për 4:2, shkruan lajmi.net.
Nadal nuk u mbajt deri në fund, dhe u thye në servat vendimtare, kur rezultati ishte 4:5. Megjithatë, në 5:5 ai theu servat e rusit dhe me 6:5 kishte servat e tij në dorë për të fituar duelin.
Nadal kësaj radhe nuk gaboi, dhe duke fituar servat e tij, ai mbylli setin me 7:5 dhe ndeshjen me 3:2 në sete.
Ky triumf i siguron atij Grand Slam numër 21. Asnjë tjetër në histori të tenisit nuk ka fituar këtë numër të Grand Slam. Novak Djokovic e Roger Federer numërojnë nga 20-të.
Nadal erdhi në Australian Open pasi kishte humbur paraprakisht Wimbledon dhe US Open, si pasojë e një lëndimi kronik në këmbë. Ai konsideroi pensionimin, por megjithatë ia doli të garonte. Bëri historinë, edhe pse ishte dy sete disavantazh kundër kampionit aktual të US Open.