Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për bisedime me Serbinë kurdo që do të ketë ftesë nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell. Ai ka folur edhe për asociacionin, ku tha se asnjëherë nuk ka qenë kërkesë e serbëve të Kosovës. Këta të fundit, sipas tij, duan drejtësi dhe punësim.
Kurti ka thënë se janë të gatshëm për të zhvilluar bisedime me Serbinë.
“Kur zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së, zëvendës-presidenti i Komisionit Evropian, zotëri Borrel të na thërras në takim, si lehtësues dhe ndërmjetësues që janë, ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë në bisedime atje. Natyrisht ne duam dialogun parimor, të baraspeshuar, ku barazia e palëve është fakt i dhënë dhe i padiskutueshëm. Ndërkaq, dialogun e duam për marrëveshje, jo dialog për dialog. Ky dialog për marrëveshje nënkupton që marrëveshja si marrëveshje për statusin e raporteve tona, jo statusit të Kosovës, çfarë marrëdhënie duhet të kenë Kosova me Serbinë e që ne besojmë që duhet të jenë marrëdhënie normale, patjetër në qendër do ta përmbaj njohjen reciproke”, ka deklaruar Kurti.
Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti në konferencë për media derisa është pyetur për asociacionin, ka përmendur vendimin e Kushtetueses duke thënë se qeveria është e përkushtuar që në gjithë territorin kjo të jetë e zbatuar në mënyrë të plot.