Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në kazermën “Adem Jashari” për nder të Epopesë së UÇK-së, tha se marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të Kosovës për liri.
Osmani theksoi se familja Jashari është portreti i lirisë sonë, njofton Klankosova.tv.
“Marsi i vitit 1989 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve popullit të Kosovës për liri, në këtë ditë fryma e lirisë që nisi në Prekaz në familjen Jashari u bartë gjithandej nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë ditë që është vetëm njëra prej disave të tilla, por do të mbes në historinë tonë për shekuj të tërë”, u shpreh Osmani.
“Familja Jashari në Prekaz u ndodh nën rrethimin forcave të regjimit gjenocidal serb, rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar edhe me 31 janar 1991, 22 janar 1998 dhe së fundmi edhe më 5,6 dhe 7 janar 1998. Në të tri rrethimet, rezistenca e familjes Jashari në krye me bacën Shaban, Hamzën dhe komandantin legjendar Adem Jashari nuk ishte përpjekje e thjesht për të mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre. Ata bashkë u vunë në mbrojtje të pragut të Kosovës, shtëpisë sonë të përbashkët për të cilën u flijuan, në tri ditët e Epopesë ata u heroizuan dhe si të tillë do të mbeten sa të jetë Kosova”, shtoi ajo.
“Rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim për të gjithë popullin, për t’i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim. Duke refuzuar nënshtrimin komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me shumë anëtar të familjes e bashkëfshatar ranë heroikisht në mbrojtje të atdheut”.
“Ky sakrifikim epik i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtar u bë guri themeltar i lirisë dhe shtetit tonë, kjo familje është portreti i lirisë sonë, e cila ishte e zorshme për t’u arritur, për të cilën ranë edhe 3000 dëshmor të UÇK-së, 13 mijë civilë, u dhunuan afro 20 mijë gra e burra dhe të zhdukur me dhunë janë ende mbi 1600 persona, ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta, duhet të vendoset drejtësia për të pasur kuptim liria jonë”. /Klankosova.tv/