Turqit nuk i pranojnë rezultatet e regjistrimit

Deklaratë e Këshillit Koordinues Kombëtar të Regjistrimit të Turqve të Maqedonisë së Veriut në lidhje me Regjistrimin e popullsisë 2021

Marketing

Të nderuar,

Këshilli Koordinues Kombëtar i Regjistrimit të Turqve të Maqedonisë së Veriut (i përbërë nga të gjithë organizatat joqeveritare turke, partitë politike turke, si dhe nga intelektualë, akademikë dhe opinionbërës turk nga vendi) nga fillimi i Regjistrimit të popullsisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut 2021, me vëmendje dhe në mënyrë aktive e ka ndjekur procesin dhe ka bërë përpjekje të shumta me qëllim të zbatimit të suksesshëm të të njëjtit.

Nga ana tjetër, nga fillimi i regjistrimit deri më sot, me të gjithë mekanizmat demokratikë i kemi ndjekur prej së afërmi zhvillimet në terren. Në të gjithë platformat e theksuam qartë faktin se regjistrimi i popullsisë është çështje mbipartiake. Në çdo mundësi e ritheksuam rëndësinë, vlerën dhe pasojat e regjistrimit të popullsisë, i cili ka domethënie jetike për të ardhmen e vendit.

Disa herë i shprehëm pakënaqësitë në lidhje me të gjitha mangësitë e regjistrimit, të drejtat kushtetuese të garantuara dhe shkeljet në Ligjin e regjistrimit, si dhe në lidhje me metodologjinë e regjistrimit. Përkundër kësaj, mungesa e instruktorëve dhe regjistruesve turq, mosfunksionimi i aplikacionit elektronik për vetëregjistrim prej ditësh, bllokimi i procesit të regjistrimit të diasporës, problemet me përkthimit dhe mangësitë në aplikacionin për vetëregjistrim, mosinformimi adekuat i qytetarëve për regjistrimin, presionet dhe manipulimet në terren si dhe mospërfshirja në regjistrim të shumë pjesëtarëve të komunitetit turk, ishin disa nga problemet të cilat janë vërejtur haptazi.

Të gjitha institucionet kompetente vendase si dhe përfaqësitë e misioneve të huaja në vend janë informuar për problemet, mangësitë dhe shqetësimet e lartpërmendura. Përkundër kësaj, janë injoruar pjesa e madhe e kërkesave tona. Qëndrimi i institucioneve kompetente zyrtare ka shkaktuar dyshime rreth këtij proces.

Po të ishin marrë parasysh nga institucionet përkatëse këto kërkesa tona, të cilat janë legjitime dhe të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në krye me Entin Shtetëror të Statistikave, do të ishin eliminuar shumica e problemeve dhe mangësive të lartpërmendura.

Fatkeqësisht, Regjistrimi i popullsisë 2021, do të mbahet mend për shumë pyetje të papërgjigjura, me mosmarrjen parasysh të kërkesave tona legjitime në lidhje me procesin e regjistrimit si dhe me qasjen neglizhuese të institucioneve përkatëse.

Në këtë situatë, janë shkelur të drejtat e turqve, të cilët janë një nga popujt e barabartë dhe themelues të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë drejtim, duhet të ceket që janë shkelur nenet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut si në vijim: paragrafi 2 (liria e shprehjes së identitetin etnik), paragrafi 3 (sundimi i ligjit) dhe paragrafi 11 (përfaqësimi i barabartë dhe i drejtë i qytetarëve) i nenit 8; paragrafi 1 (qytetarët RMV-së janë të barabartë në liri dhe të drejta) dhe 2 (qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjit) i nenit 9; paragrafi 1 (Qytetarët që u përkasin komuniteteve kanë të drejtë të shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë lirisht identitetin dhe vlerat e komuniteteve të tyre) dhe paragrafi 2. (Republika e garanton mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të të gjitha komuniteteve) i nenit 48; paragrafi 3 (qytetarët kanë të drejtë të informohen për të drejtat dhe liritë e njeriut) i nenit 50 dhe paragrafi 2 (të gjithë janë të detyruar ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet) i nenit 52, si dhe neni 16. Enti Shtetëror i Statistikave është i obliguar që Regjistrimin ta përgatit dhe rregullon në përputhje me dispozitat e përmendura ligjore, si dhe me zbatimin e të njëjtit në përputhje me ligjin. Enti Shtetëror i Statistikave po ashtu e mbikëqyr punën e personave – Pjesëmarrësit në Regjistrimin e popullsisë, neni 30 (6) Gjatë zgjedhjes së regjistruesve dhe instruktorëve rajonalë do të respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të komuniteteve në rajonin e Regjistrimit, si dhe neni 34 (1) Aplikacioni me të cilin do të bëhet Regjistrimi do të përgatitet në shtatë gjuhë: maqedonase, shqipe, turke, rome, vllahe, serbe dhe boshnjake dhe (2) Regjistrimi bëhet në gjuhën që e zgjedh personi, i cili regjistrohet ose personi i cili i jep të dhënat.

Është e qartë se gjatë këtij procesi nuk është vendos e drejta, barazia, transparenca dhe drejtësia. Rezultat e regjistrimit të popullsisë të shpallura sot edhe një herë e kanë nxjerrë në pah faktin që është në Maqedoninë e Veriut është lëkundur besimi në drejtësi.

Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij me rastin e 15 – vjetorit të Akademisë së Prokurorëve dhe Gjykatësve, të mbajtur më 1 dhjetor 2021, ka theksuar që është lëkundur seriozisht besimi ndaj drejtësisë në vend dhe ka theksuar se çdo dite e më shumë dobësohet besimi ndaj barazisë së qytetarëve para ligjit. Nga ana tjetër, duhet të merret parasysh se në shumicën e raporteve të institucioneve vendase dhe të huaja, haptazi është theksuar që besimi ndaj drejtësisë dhe sistemit juridik të shtetit është në nivel shumë të ulët.

Sot përsëri u konfirmuan se shqetësimet tona para regjistrimit dhe gjatë procesit të regjistrimit, ishin të drejta.

Rezultatet regjistrimit të popullsisë të shpallura sot, nuk e reflektojnë të vërtetën dhe përqindjen e komunitetit turk e tregojnë në numra reale. Ekzistojnë dallime të habitshme në të dhënat të mbledhura nga vendbanimet e ndryshme ku jetojnë turqit dhe të dhënat zyrtare që u publikuan sot.

Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, ne si komunitet turk në Maqedoninë e Veriut, është e pamundur t’i pranojmë numrat dhe përqindjet e publikuara nga regjistrimi i popullsisë.

Prandaj, në emër të Këshillit Koordinues Kombëtar të Regjistrimit të Turqve të Maqedonisë së Veriut, deklarojmë se numrat dhe përqindjet e publikuara në lidhje me komunitetin turk, i cilësojmë si joreale, nuk i njohim dhe të njëjtat absolutisht nuk i pranojmë.

Me këtë rast, dëshirojmë të theksojmë që në periudhën në vijim maksimalisht do t’i përdorim ankesat, si dhe të drejtat ligjore dhe demokratike në lidhje me rezultatet e regjistrimit.

Me respekt!
30 mars 2022