Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, bashkë me ekipin e tij, sot e priti në një takim pune Rektorin e Universitetit “18 Marsi” të Çanakkalasë nga Republika e Turqisë, Prof. Dr. Sedat Murat, me bashkëpunëtorët.
Në këtë takim pune, të karakterit formal, u diskutua vazhdimësia e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, përfshirë organizimin e përbashkët të konferencave shkencore, simpoziumeve, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve në kuadër të programeve ndërkombëtare për mobilitet si dhe aktiviteteve të ndryshme, të cilat do të jenë në interes të të dyja institucioneve.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili i shprehu mirënjohje Rektorit të Universitetit “18 Marsi” të Çanakkalasë për bashkëpunimin korrekt që kanë treguar deri më tani me Universitetin tonë. Po ashtu, ai shprehu gatishmëri për vijimin e bashkëpunimit edhe më tutje, duke krijuar strategji të reja veprimi në lëmi të ndryshme profesionale, të cilat do të jenë të dobishme si për studentët ashtu edhe për profesorët.
Ndërsa Rektori i Universitetit “18 Marsi” të Çanakkalasë, Prof. Dr. Sedat Murat e falënderoi rektorin Prof. Dr. Reshat Qahili dhe bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen që u bënë. Sipas tij, kjo vizitë dëshmon faktin se Universiteti “18 Marsi” i Çanakkalasë ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimit në fushat arsimit dhe hulumtimit shkencor.