Pas një aksidenti në një minierë të thëngjillit në Serbi kanë mbetur të vdekur 8 punëtorë dhe janë lënduar 18 të tjerë. Lajmin për këtë e ka konfirmuar ministria e Serbisë për Miniera dhe Energji. Siç raportojnë mediat serbe, punëtori më i ri ka qenë 31 vjeç derisa më i vjetri 59.
Sasha Spasiq ka thënë se aksidenti në minierën e “Soko”-s ka ndodhur pak minuta pas orës katër të mëngjesit derisa po zhvilloheshin punime normale. Ai ka treguar se ka pasur shembje të thëngjillit në një pjesë të minierës dhe metani i lëshuar si rezultat i shembjes ka depërtuar tek pjesa ku po zhvilloheshin punime.
“Sipas informacioneve jozyrtare, ka pasur shembje thëngjilli në dhomën e gërmimit VE 3/1 dhe depërtim të menjëhershëm të metanit në hapësirën e punës. I shpreh ngushëllimet e mia familjeve të minatorëve të lënduar, ne jemi këtu për ta në çdo moment”, ka thënë Spasiq.
Të vdekur kanë mbetur: Darko Zlatkoviq -43, Nenad Trivunac-37, Radovan Grujiq-47, Petar Petroviq-31, Branko Cokorilo-56, Branislav Zlatanoviq-55, Bratislav Zhivkoviq-59 dhe Bojan Stajiq-34.